Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore ditën e sotme, mes mazhorancës dhe opozitës, nuk ka kaluar pa akuza, debate dhe madje ironi dhe batuta mes deputetëve anëtarë.
Deputeti socialist, ish-ministri Ulsi Manja, ironizoi opozitën në komision që kërkonte shtim të ekspertizës edhe për qendrat e votimit dhe numërimit, por ngriti edhe akuza për manipulim të zgjedhjeve, duke shtuar se tani mungon të pajtohen vetëm disa ekspertë nga OKB-ja.
Kjo batutë shkaktoi të qeshura në sallë, ndërsa Manja vuri në dukje se në 13 vite si deputet, janë ngritur 15 komisione zgjedhore
“I dimë sfidat, i dimë çështjet, i dimë çështjet e ekspertëve. E dimë se sa mbarojmë një palë zgjedhje, fillojmë përsëri reformën zgjedhore, për rekomandimet e OSBE dhe ODIHR. Madje ky Komision në nivel ekspertize, nuk e di se si mendojnë shqiptarët, por do ishte mirë të sillnim edhe ekspertë nga OKB-ja… (të qeshura në sallë)”, tha ai.
Dhe më tej vijoi:
“Por unë kthehem prapë aty ku e nisa, ja ku i kemi ekspertët, më të mirë se këta nuk kemi ku t’i gjejmë. Faleminderit atyre që do na bashkohen. Ato që themi gjatë procesit të numërimit e zgjedhjeve t’i zgjidhmin e t’i bashkërendojmë. T’i bashkëndajmë bashkë tani sepse vitin tjetër do i bashkëndajmë përsëri. Nuk e di se çfarë kërkoni më shumë me këto pika apo numërimet, por teknologjia ka shkuar ku nuk mban më”.





