Teuta nuk është një skuadër e bukur, nuk prodhon stilin e futbollit “joga-bonito”, apo atë që italianët e quajnë “futboll shampanjë”, megjithatë është një ekip me shumë karakter.Një skuadër e fortë, nuk dorëzohet për asnjë arsye, ka një mbrojtje me në krye Hoxhën e Arapin, që edhe në doganë po të punonin nuk do të shpëtonte asgjë dhe në këtë sezon, ka një Stivi Frashëri në kulmin e karrierës së tij.Teuta, për të dytin edicion radhazi siguroi gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Kualifikimi përballë Kukësit nuk ishte aspak i thjeshtë edhe për faktin që blutë verilindorë shkarkuan çdo bateri në atë ndeshje, duke qenë se në kampionat janë larguar disi nga zona europiane.
Kukësi pati shanse, por “djemtë e detit” ia dolën ta mbronin anijen e tyre nga çdo sulm, u luhatën por nuk u fundosën, sepse nëse ka një virtyt ky ekip, është pikërisht dëshira për të mos humbur. Teuta, që e ka fituar për herë të fundit Kupën e Shqipërisë, i ka të gjitha mundësitë për ta përsëritur suksesin e sezonit të shkuar, ndërkohë që ëndrra dhe ambicia e madhe është triumfi i dyfishtë, kampionat-Kupë.E vështirë është, por kur një skuadër ka karakter mund ta realizojë ëndrrën.
Teuta në provën e së vërtetës.Gjithmonë në sezonin e një skuadre që në fund shpallet kampione ka një moment ku bëhet diferenca, një çast që do të mbahet mend përherë si vendimtar në edicionin e një ekipi të suksesshëm, nëse Teuta kërkon të rikthehet tek trofeu pas 27 vitesh duhet që pikërisht në këtë çast të kampionatit të ngjitet një shkallë më lart. 3 fitoret e njëpasnjëshme u pasuan nga tri barazim ndaj Kastriotit, Bylisit dhe Partizanit, ku me pak kujdes “djemtë e detit” mund të regjistronin fitoret e radhazi.
Në “Niko Dovana” luhet Teuta-Laçi, sfidë pretendentësh me bregdetarët që synimet për titull nuk i kanë fshehur kurrë, ndërkohë që edhe te Laçi, nuk duan ta konsiderojnë veten jashtë lufte. Kjo është pikërisht një ndër ato sfida ku blutë të fitojnë vetëbesimin e nevojshëm që janë ende në lojë.





