Policia e Tiranës ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim për ngjarjen e datës 14 shkurt, ku në një hotel në Sauk, u vetëplagos një 18-vjeçare. Ata kërkoheshin për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia njoftoi se pas konsultimit me prokurorin u vendos që të dy ata të hetohen në gjendje të lirë.

Kujtojmë se për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest me burg të dashurin e të resë.

Togat e zeza vendosën se arrestimi i tij ishte i ligjshëm dhe lanë në fuqi vendimin që e lë atë në qeli për moskallëzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe armëmbajtje pa leje.

Nga ana tjetër, gjykata la në detyrim paraqitje mamanë e tij dhe xhaxhain e të riut të cilët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që penojnë zbulimin e së vërtetës. 18-vjeçarja u gjet e plagosur me armë zjarri më 14 shkurt. Fillimisht i dashuri i saj u shpall në kërkim por më pas u arrit që të vendosej në pranga.