Nga Xhevahir Gradica
Më dhimbset në shpirt futbolli vendit tim, por nuk kam fuqi të ndërhyjë e as ta ndryshojë këtë lloj mentaliteti të gabuar që ka depërtuar. Më mirë të mos flasim fare për këtë gjë. Shoh rregullisht kampionatin italian, gjerman, spanjoll…
Brezat ikin dhe i lënë vendin njëri-tjetrit, por në këtë rrjedhë të natyrës shumë prej tyre lënë pas gjurmë të forta. Kanë kaluar më shumë se dyzet e pesë vite, ndërkohë që emra të mëdhenj të sportit, kinemasë, teatrit, arsimit, mjekësisë, artizanatit qëndrojnë të freskët. Njëri prej tyre është edhe Niko Bespalla, futbollisti që u bë tmerri portierëve për vite me radhë për shkak të saktësisë dhe forcës goditëse të topit. Dashamirësit e futbollit edhe sot kur e takojnë Bespallën dhe në shenjë kujtimi nisin e numërojnë: 1,2,3,4,5…16 dhe GOL! Ishte gjetje e vet Bespallës, këtij sulmuesi të frikshëm për çdo ekip kundërshtarë që encet (goditjet e dënimit) para se t’i gjuante, vendoste topin në pikën e ndërhyrjes së gabuar dhe që andej numëronte 16 hapa prapa për të marrë më pas hov drejt topit. Bespalla është një nga mrekullitë e futbollit të “Erzenit”, “Lokomotivës”, “Partizanit” dhe “Dinamos”. Ai i përket plejadës me të cilët mburret edhe sot futbolli shqiptar. Bespalla arriti të e edukojë tek i biri sportin e bukur të futbollit. Justin Bespalla për vite të tëra e kishte këmbën e artë si edhe i ati, ndërsa nipi, Kristi ka marrë të njëjtin pasion. Mbresat, emocionet, kujtimet janë të panumërta. Futbollistëve si Bespalla pak apo aspak u ka interesuar politika, prej së cilës edhe janë sakrifikuar. Vitet kanë ecur, megjithatë sulmuesi i dëgjuar mban mend data, episode dhe ndodhi deri në detaje. Bespalla tregon se edhe sot ka shumë zhurmë për një penallti që e humbi apo “ia fali” “Partizanit”, për kundërshtimin që i bëri ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut, apo për golin fatlum kundër “Partizanit” si dhe dëshirën e madhe për t’ia falur ndeshjen “Erzenit” të Shijakut dhe shumë të tilla kujtime.
Në pak fjalë…
Niko Bespalla bëhet futbollist shumë i dëgjuar sapo kishte mbushur të 17 vitet. Futbollin e nisi në vitin 1957 dhe po atë vit bëhet golëshënuesi më i mirë i Republikës për moshat. Shtatë-tetë ekipe ishin në lojën e trofeve asokohe dhe konkretisht: Lokomotiva e Durrësit, Tirana, Partizani, Dinamo, Korça, Kavaja, Vlora. Partizani mblidhte më të mirët e Republikës dhe këtë fat për të qenë pjesë e këtij ekipi e pati edhe Niko Bespalla, 19-vjeçari nga Shijaku. Për 3 vite do të bëhej pjesë e ekipit “Partizani” dhe do të lozte si tutullarë gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa me këtë ekip do të ngrente me duart e tij dy herë kupën e kampionatit të Republikës dhe një herë kupën e Republikës. Trajneri i tij i parë, Faik Dervishi do e përgatiste si golëshënuesin më të mirë me të rinjtë në vitet 1956, ndërsa një vit më pas Bespalla do të stërvitej nën autoritetin e trajnerit të ekipit “Lokomotiva” Adem Karapici. Edhe sot që kanë kaluar 58 vite, Niko Bespalla e mban mend shumë mirë formacionin e ekipit “Lokomotiva” që përbëhej: në portë Mile Qoshja; në mbrojtje Taq Murati, Thoma Thimi, Xhorxh Pasku; mesfushorë Nusret Shyti, Met Myshku, Rusdhi Ruli dhe në sulm me Raq Manushi, Nikoll Çeta, Faje Saraçi e Niko Bespalla. I riu Bespalla ishte i papërmbajtur, golëshënues dhe me shumë perspektivë. Vitet e tij kulmore në futoboll kanë qenë 1957-1962 me ekipet “Partizani” e “Dinamo”, por jo më pak emër i kanë dhënë edhe golat e shënuar deri në vitin 1967 me të tjera ekipe. “Partizani” kishte sulmues të kalibrit ndërkombëtar si Refik Resme, Kolec Kraja, Simon Dede, Panojot Pano, Robert Jashari, ndërsa ekipi “Dinamo” po kaq emra të mëdhenj si: Skënder Jareci, Stavri Lubonja, Medi Bushati, Lorenc Varfi, Thoma Duro. Futbollisti durrsak Niko Bespalla në mesin e tyre dhe ndër më të privilegjuarit mes sulmuesve si titullar në çdo ndeshje. Bespalla kishte saktësi dhe forcë në gjuajtjen e topit. Kjo detyronte murin e furtbollistëve përballë goditjes së tij të vendosnin mirë e fort duart për të ruajtur pjesët delikate mes këmbëve ngase forca goditëse e topit ishte marramendëse. Bespalla qe tmerri portierëve. Kështu e cilësonin komentatorët sportiv. Njëri prej tyre, zëri më i dëgjuar i komentit të ndeshjeve, Anton Mazreku, teksa jepte për dëgjues të radios dhe shikues të televizionit shqiptar ndeshjen “Lokomotiva”- “Partizani” e parashikoi që më parë se Bespalla do e zhyste në rrjetë topin nga goditja e dënimit. Bëhej fjalë për një goditje që ishte 37 m larg nga porta e mbrojtur prej Mikel Jankut të “Partizanit”. Dhe kështu ndodhi, Bespalla shënoi dy gola për ekipin e qytetit të tij duke mundur “Partizanin” 2-1.. Shqipëria, kampionati shqiptar, asokohe kishte dy shuter të njohur nga të gjithë: Qamil Teliti dhe Niko Bespalla. I pari me Kavajën dhe i dyti me Durrësin. Gjithëherë ka mbajtur pozicionin e sulmuesit dhe është renditur ndër më të mirët. Futbolli ishte sport shumë e admiruar, megjithatë Durrësi ishte shumë i njohur për rezultatet kombëtare në boks, çiklizëm, volejboll, not dhe shumë sporte të tjera. Bespalla është një nga sportistët e mëdhenj të Shijakut e Durrësit, por që mundi të zinte vende nderi në nivel kombëtar në saj të mjeshtërisë së rallë në gjetjen e rrjetës së kundërshtarit. Gjatë karrierës së tij prej më shumë se dhjetë vite si tutullarë, qe pjesë e ekipit kombëtar të futbollit duke lozur me ekipe të mëdha ruse, bullgare, rumune, turke, polake, çeke. Niko Bespalla ka deklaruar se të gjitha meritat për çdo sportist që ka bërë karrierë në futboll janë rrjedhojë e tifozëve, sportdashësve. Për vite e vite me rradhë stadiumi “Niko Dovana” për futbollin dhe “Ramazan Njala” për lojrat me dorë, nuk kishin asnjë vend bosh. Madje tifozët qëndronin në këmbë, në disa rradhë edhe pse nuk kishin mundësi të shikonin ndeshjen. Për ta mjaftonte fakti se ishin në stadium dhe kaq. Tribunat dhe vendet anësore nuk kishin një radhë në këmbë, po dy e tri të tilla. Bespalla mban mend se disa herë ka përfunduar në derën e banesës së tij i shoqëruar nga tifozë të panumërt që e kanë shoqëruar nga stadiumi deri tek shtëpia. Sulmuesi ekipit kombëtar ka veçuar takimet me Lajpcigun, CSCA e Sofjes, Dukla e Pragës, Dinamon e Kievit, Kishinjov të Moldavisë, Levscin etj. Për shkak të krenarisë dhe kulturës Niko Bespalla do të detyrohet të ndeshet edhe me raste ekstreme të cilat në fund të fundit kanë vënë në pikëpyetje jo vetëm karrierën e tij si futbollist. Bespalla ka shkuar deri atje saqë ka replikuar me ish ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu duke mos iu bindur përfundimisht urdhërave të tij. Tani që vitet kanë kaluar dhe Bespalla ndihet si veteran në futbollin shqiptar, nuk heq as edhe gjënë më të vogël nga sa i është përkushtuar sportit. Ai ka pohur se ka pranuar të sakrifikohet deri në ekstrem për të ruajtur dinjitetin e futbollit dhe të ekipit. Ndërsa e ka pasur të vështirë të veçojë vitet më të mira të jetës futbollistike, Bespalla ka thënë se mbetet futbollisti “Erzenit” dhe “Lokomotivës” si shenjë mirënjohje për vendlindjen e tij, ndërkohë që karrierën më të madhe dhe trofetë futbollistike i ka shijuar gjatë periudhës që ka qenë titullarë me ekipin “Partizani” dhe “Dinamo”.
Rrugëtimi në futboll
Në fëmijërinë e tij ka qenë tifoz me “Dinamon” pjesë e formacionit të të cilit u bë për dy vite pasi përfundoi tre vitet e shërbimit të detyruar ushtarak me “Partizanin”. Plot 25 gola ka shënuar në vitin 1961 duke u shpallur edhe më i miri golëshënues. Bespalla u federua në ekipin kombëtar në vitin 1957, saktësisht sapo u afirmua si më i miri mes të rinjve të moshës 17 vjeç dhe që nga ajo moshë nuk do i ndahet ekipit përfaqësues të Shqipërisë deri në ditën e dorëzimit të fanelës së tij për t’i dhënë përfundimisht “Lamtumirën” sportit. Fare i ri bëhet pjesmarrës në lojrat e Ballkaniadës dhe në lojra olimpike, ndërkohë që në atë kohë Shqipëria nuk ishte pjesë e zhvillimit të ndeshjeve eleminatore. Njëherësh ka marrë pjesë edhe në ballafaqime miqësore duke manifestuar edhe aftësitë e një sulmuesi plot “rreziqe” për ekipin kundërshtar. Pikërisht në vitin 1957 për gjatë dy javëve është përfshirë në lojrat olimpike verore në festivalin e Rinisë në Moske të Rusisë, ish kryeqendër e Bashkimit Sovjetik. Rusët, në opinionin e sulmuesit Niko Bespalla, kishin futboll shumë cilësor. Ai veçon takimet e zhvilluara në vitin 1959, kohë që në Shqipëri erdhi figura numër një e shtetit të madh rus, Nikita Hrushovi. Pas kthimit të tij për në Moskë, drejt Rusisë fluturoi ekipi shqiptar i kombëtares dhe Bespalla atje luan me “Spartakun” e Moskës, “Dinamon” e Kievit në Ukrainë, “Kishinjov” të Moldavisë”. Sulmuesi dhe golëshënuesi me peshë Bespalla ka thënë se fitoi një eksperiencë të re dhe mundi të takojë, të lozë e të njohë emra të mëdhenj të futbollit rus të asaj kohe, një pjesë e të cilëve ishin futbollsitë të listuar në kupolën e emrave me famë botërore. Të tilla turne dhe takime, herë miqësore dhe herë në kuadrin e përballjeve në Ballkaniadë, futbollisti shqiptar Niko Bespalla i pati të shpeshta pasi gjatë gjithë kohës ka qenë në formacionin bazë të kombëtares. Ende pa mushur një vit me fanellën e ekipit “Partizani” Niko Bespalla është titullar përballë skudrës së “Lajpcigut”. Ndeshja zhvillohej në Gjermani (Gjermaninë Lindore). Edhe pse ishin ekip kundërshtar ai kujton se sa shumë mbështetje morë nga tifozët gjerman të cilën admiruan lojën e djemve të “Partizanit”. Berlini kishte futbollistë me zë megjithatë të rinjtë shqiptarë ia rrëmbyen fitoren duke dalë në finale me ekipin e CSKA të Sofjes. Mbresat e Bespallës për këtë turne janë të veçanta pasi ai thotë se u ballafaquan me ekipin e porsakthyer nga kampionati botëror. “Partizani” kishte mundur të mposhtte ekipin çek të Pragës “Dukla”. Çekët kishin mundur të ngjiteshin si asnjëherë tjetër drejt majës më të lartë të prekjes së trofeut botëror. Pikërisht atë vit çekët, falë edhe një ekipi tejet të stërvituar dhe dinamik, arritën në finalen e botërorit duke u vendosur përballë ekipit të Brazilit, finale të cilën e humbën. Dy nga futbollistët çek: Josef Masopust ( i shpallur lojtari më i mirë evropian në vitin 1962) dhe Pluskal ishin nga emrat më të përzgjedhur dhe të renditur në 11 futbollistët më të mirë të Botërorit. Pikërisht me ekipin çek të Pragës, furbollistët e “Partizanit” morën fitoren e duhur 1-0. Sulmuesi Niko Bespalla thotë se takimi i rregullt u mbyll me rezultat të pastër, 0-0 dhe për këtë arsye ndeshja u shty me 30 minuta. Golin për ekipin që kishte udhëtuar nga Shqipëria e shenoi Refik Resmja. Ballafaqimi me CSKA e Sofjes ka qenë shumë i vështirë, mban mend sulmuesi Bespalla dhe këtë ndeshje “Partizani” e humbi duke u lënë futbollistëve shqiptar të drejtën të shijonin vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë. Në vitin 1962 për kupën ballkanike ekipi ynë ka lozur përballë rumunëve, turqve dhe bullgarëve. Edhe pse kanë kaluar plot 52 vite nga ato takime, në kujtesën e Bespallës nuk ka ndryshuar asgjë pasi gjithçka i sjell të freskëta dhe deri në detaje. Bespalla mban mend që takimi me bullgarët është ndarë 2-2, me rumunët ekipi kombëtares shqiptare fitoi me rezultatin 3-2, kurse me turqit formacioni shqiptar humbi 0-1. Dinamo e Bukureshtit dhe levski Sofjes edhe sot janë ekipe shumë të mira, me formacione të forta dhe lojrat të klasit të lartë. Bespalla thotë se në ato vite këto ekipe ishin të papërmbajtshme, ndërsa shumë kujdes dhe stërvitje i kishin kushtuar edhe djemtë e ekipit shqiptar. Stërvitjen për gjatë 3 javëve para takimeve ekipi e zhvilloi në Bukuresht në kushte shumë të mira akomodimi, terrene mjaft cilësore dhe nën një admirim e dashamirësi të theksuar. Këto e të tjera detaje për Niko Bespallën vinë të kthjellta dhe të qarta thuajse takimet sportive ishin zhvilluar vetëm një vit më parë. Sigurisht që rezultatet pozitive priteshin pasi në formacion kishte emra të cilët më pas janë vlerësuar si legjenda të futbollit dhe konkretisht: Skënder Jareci, Sul Maliqati, Xhevdet Shaqiri, Kolec Kraja, Simon Deda e të tjerë, ndërkohë që Bespalla sa herë që dëshmon për emra dhe episode shmang kontributin e tij në shenjë modestie duke cilësuar se ai ishte si çdonjëri futbollist, ndonëse klasifikohej sulmuesi më i rrezikshëm dhe golëshënues cilësor. Fare pak gola mban mend të shënuara me kokë, ndërsa numri golave me këmbë është shumë i madh dhe nuk mbahen mend se sa të tillë ka shënuar. Tani që vitet kanë ecur, pse jo me hapa shumë më të shepjta sesa e mendon çdonjëri nga ne, Bespalla gjen kohë për të takuar bashkëfutbollistët me të cilët diskutojnë vetëm për sportin. ka ndarë opinionet për ecurinë e futbollit me Petraq Ikonomin, Feti Golashi, Tod leshteni, Met Spahiu, Telit Ciko…Njëherësh sjellin ndërmend edhe çastet e vështira të çdonjërit, goditjet e gabuara, penalltitë e pashënuara, gafat dhe “grindjet” në fushën e blertë. Nuk janë pak episodet me të cilat Bespalla ndihet shumë mirë, siç ka të tilla që i kujton si peng të mbetur nga e kaluara e tij rinore. Ai guxoi, pa e menduar gjatë, të mos i bindet as ministrit të Brendshëm në ato vite, gjë që nuk e kishin bërë as burra me këllqe shumë të forta. Dhe, sot, vite e vite më pas, Bespalla mban të njëjtin qëndrim sikur ato ditë, pa ndryshuar mendjen dhuke thënë se bëri shumë mirë.
Na rikujto se çfarë të shtyu të mos i bindesh trajnerit dhe as ministrit të Ministrisë së Brendshme në ndeshjen përballë bullgarëve?
Çdo gjë ndodhi ngase unë u revoltova. E mbaj shumë mirë mend atë ngjarje. Ju them me sinqeritet se edhe sot nuk kam ndryshuar mendim që bëra shumë mirë me atë qëndrim, që në thelb nuk kishte të bënte me inatin, por me arsyen, me logjikën. Takimi zhvillohej në Tiranë dhe ne ndesheshim me një ekip të Sofjes së Bullgarisë. Trajner i ekipit tonë ishte Zyber Konçic. Stadiumi ishte plot e përplot dhe as që bëhej fjalë për vende të lira. Në të gjitha anët, mbi shklallë, edhe nga ana e tribunës së stadiumit në Tiranë, tifozët ishin në rreshta në këmbë dhe ndeshjen e shikonin në majtë të gishtave pasi nuk kishin mundësi tjetër shikimi. Unë isha titullarë, por trajneri më la në stolin e rezervës. Nuk e prisja këtë gjë edhe për faktin se brenda vetes sime kisha një dëshirë e nxitje të fortë për të bërë çdo përpjekje që të merrnim një fitore. Takimet zhvilloheshin në kuadër të kupës ballkanike dhe kuptohet se në stadium e në tribunë kishte edhe shumë specialistë futbolli nga vende të ndryshme të Ballkanit. Në pjesën e dytë më kërkohet të bëhem gati për t’u futur në lojë. Sapo ma thanë, e kundërshtova dhe i qëndrova deri në fund vendimit tim. Në tribunë ishte edhe ministri i Ministrisë së Bredshme Kadri hazbiu. Ai e ndiqte ekipin dhe qe dëshmitarë në debatin që po zhvillohej lidhur me kundërshtimin tim për të hyrë në lojë. Ministri zbret shkallët dhe më afrohet e më urdhëron të futem në lojë, por edhe këtë herë unë nuk iu binda. Nuk pati fjalë të tjera aty për aty. të nesërmen, në mënyrë urgjente mblidhet ekipi, stafi teknik e drejtues dhe përfaqësues të Ministrisë së Brendshme. Pa një, pa dy gjëja e parë dhe e fundit që u tha aty ishte vendimi për largimin tim nga aktivitetet sportive. Përjashtimi nënkuptonte jo vetëm largimin nga ekipi, por nga çdo lloj ekipi tjetër, nga çdo lloj sporti. Nuk pati asnjë diskutim, u mblodhëm në sallë dhe u lexua vendimi në të cilin thuhej qartë dhe prerë se vendimi ishte marrë nga Kadri Hazbiu.
Si mundët të riktheheshit në futboll dhe cilat qenë arsyet e rishfaqjes suaj në fushën e blertë?
Pas atij ndëshkimi u ktheva në Shijak. E mora goditjen dhe jo pak, ishte ndëshkim shumë i ashpër, shumë i fortë dhe nuk guxonte njeri të hapte gojën. Shaban Shaba dhe Haxhi Qullhai, njëri drejtor SMT dhe tjetri drejtor konsumi shkuan dhe takuan zëvendësministrin Rexhep Kollin. Kishin njohje e miqësi. Ata e morën këtë guxim jo vetëm pse isha djalë Shijaku, por edhe se isha futbollist cilësor. Iu lutën atij që të zbutej dënimi dhe të më jepej e drejta të lozja futboll. Kolli ua hëngri hatrin dhe unë u riktheva këtë herë me “Erzenin” e Shijakut të Durrësit në vitin 1963. Vetëm një fazë loza, tre muaj. Erzeni kishte nevojë të ngjitej në kategorinë e parë dhe ia arritëm. Ishte ngjarje e madhe dhe Shijaku e Durrësi e festuan si ditë të veçantë. Rrugët e sheshet e mbushën plot sportdashës, gjithandej festohej, edhe në shtëpitë e shijakasve dhe durrsakëve festohej vetëm për këtë ngjarje. Shumë emocionuese ishin për të gjithë në të ekipit “Erzeni”, ndërsa unë, edhe për faktin se isha furbollist me zë dhe i nivelit kombëtar, e përjetova me shumë entuziazëm. Me të përfunduar festimet, u shtrua banketi dhe aty erdhën edhe nga federata shqiptare. Por çfarë ndodhi? Pasi fituam të drejtën për të dalë në kategorinë e parë, vendimi u anullua. Federata, e cila ishte nën varësinë politike të instutucioneve të regjimit (dhe kjo dihet po të kemi parasysh kohën), nuk lejoi që ekipi “Erzeni” të kalonte në kategorinë e parë. Arsyeja ishte e thjeshte, edhe pse e padrejtë: u tha se nuk lejohej që tre ekipe të një rrethi të ishin në kategorinë e parë. Meqë “Lokomotiva” dhe “Besa” Kavajës loznin në kategorinë e parë, një gjë e tillë iu ndalu “Erzenit” edhe pse fitoi. Pak pas këtyre ndodhive, ndërhyn Sulejman Gallai, i cili kishte funksione të larta politike lokale dhe që vlerësohet edhe sot si një ndër figurat e respektuara, më merr e më dërgon tek ekipi “Lokomotiva” me të cilin kam lozur si sulmues nga viti 1963 deri në vitin 1967 me trajner Tom Gjiri.
Ju nuk shënuat një penallti ndaj “Partizanit” duke ia larguar nga duart kupën e Republikës ekipit të Durrësit. Pati edhe komente që ju e humbët qëllimisht.
Sa të jem gjallë dhe sa herë të dalë në skenë emri im si furtbollist, gazetat sportive do i rikthehen asaj penalltie të humbur. Ne si “Lokomotivë” dolëm në finale me “Partizanin”. Takimi bëhej për kupën e Republikës. Dy minuta para se të përfundonte ndeshja, koha e rregullt, jepet një penallti për ne. Goditjen nga pika e 11-metërshit e bëra unë, por nuk realizova pasi Sul Maliqati i “Partizanit” e priti goditjen time. E mbaj mend edhe datën, ishte 3 nëntor. Plot një javë më pas, me datë 10 nëntor, unë u mobilizova në shërbimin e detyruar ushtarak dhe u federova tek “Partizani”. Kështu ndodhte me të gjithë futbollistët e Republikës, jo vetëm me mua, pra unë shkova tek ai ekip se atje më caktuan dhe kaq. Pasi u mësua se unë isha bërë pjesë e “Partizanit” plasi edhe “skandali” me komente të ndryshme në gojën e tifozëve. Meqë më pyetët edhe ju, po e them me plot gojën dhe me pastërtinë më të lartë se nuk pati asnjë lloj hile, thjeshtë e humba shansin për të bërë gol. Komentet zgjatën dhe dëgjohen edhe sot pasi “Lokomotiva” me atë gol fitonte kupën e Republikës.
Më pas ia morët “hakun” ekipit të “Partizanit” pasi i shënuar plot dy gola në një takim të rëndësishëm.
Po, nëse do e quajmë “hakmarrje”. Kjo ndodhi në vitin 1964, disa vite pas asaj për të cilën u përfola. Ballafaqimi zhvillohej në stadiumin e Durrësit mes “Lokomotivës” dhe “Partizanit”. Stadiumi si gjithnjë plot. Kisha krijuar besim të padiskutuar tek vetja dhe ekipi ndaj donim me çdo kusht fitoren. “Partizani”, “Tirana” dhe “Dinamo” ishin më të fortat ekipe në Republikë. Ata zgjidhnin futbollistët më të mirë të Shqipërisë, Ne si “Lokomotivë” dhe ekipet e tjera nuk e kishim këtë mundësi. Megjithatë ekipet e Tiranës e kishin shumë të vështirë të përballeshin me ne sa herë që loznim në Durrës. Si sulmues godisja nga çdo drejtim, nga çdo kënd dhe përgjithësisht me të djathtën. Falë përvojës dhe rezultateve shkova deri atje saqë kur godisja nga pika penalltisë, ose nga ndonjë pikë tjetër, ecja nga topi 16 hapa pas dhe që andej merrja hov për të goditur. Edhe me “Partizanin” bëra dy gola. Por ajo që ngriti peshë stadiumin ishte goditja nga një kënd i pjerrtë, 37 m larg nga porta. Mora topin me këmbë dhe që andej në dorë. Iu afrova pikës së caktuar nga gjyqatari për të nisur goditjen. Me të lëshuar topin fillimisht pashë portën me bisht të syrit dhe nisa të ecja pas hap pas hapi. I tërë stadiumi numëronte: 1,2,3,4,5…14, 15,16. U ndala. Mora vrulla dhe godita me saktësi. Tifozët nuk u përmbajtën. Me të mbaruar ndeshja, në portën e stadiumit na prisnin tifozët që na morën në krah dhe na zunë këmbët në tokë vetëm në pragun e shtëpisë. Aty pashë se dikush prej tyre kishte futur në xhep 100 lekë si shprehje e gëzimit të papërmbajtur për atë që kisha mundur të bëja në fushën e lojës, por edhe sot e asaj dite nuk e di cili tifoz ma dha atë shpërblim.
Ju si futbollistë merrnit shpërblime në takime kombëtare, apo ndërkombëtare?
Kishte stimuj. Fillimisht edhe material. Më pas stimuj moral me fletë nderi, fletë lavdërimi, medaje të ndryshme. Për ndeshje ndërkombëtare për një fitore na shpërblenin me 200 lekë, për një barazim me 100 lekë. Kjo ishte si për rastet kur takimi zhvillohej në fushën tonë, sikur në fushë kundërshtare. Në rastet e takimeve të kampionatit kombëtar fitorja shpërblehej me 50-60 lekë. Por edhe këto shpërblime u hoqën shumë shpejt dhe mbetën vetëm lëvdatat në letra të cilat shpërndaheshin sipas udhëzimeve dhe mbikqyrjeve politike.
Sot flitet shumë për shitje e blerje të ndeshjeve. Çdo futbollist i atyre viteve e mohon se një gjë e tillë ka ndodhur në atë kohë. Jeni bërë ju dëshmitarë të kompromiseve për shitje a blerje ndeshje?
Nuk bënim kurrë kompromise për të shituar e për të blerë ndeshje. Në atë kohë nuk ekzistonte si koncept shitblerja. Më së shumti ndonjë dëshirë për të ia lënë takimin që të mos bjerë nga kategoria, për t’u ngjitur në kategori e të tilla. Mbaj mend se në vitin 1964 ekipi im, në të cilin isha pjesë e formacionit të parë dhe sulmues, ndesheshim me “Erzenin” e Shijakut. Trajneri ynë ishte Loro Boriçi. Iu afrova Loros e i them se “Erzeni” ka nevojë për pikë, i duhej fitorja. Humbja e fundoste, e rrëzonte nga kategoria, edhe barazimi po ashtu. Pra i duhej vetëm fitorja. Bëhej fjalë për ekipin e qytetit tim dhe moralisht më lindi kjo e drejtë. Trajneri më dëgjoi me respekt, por fjala ime nuk pati efekt. Loro më tha shkoqur dhe hapur se ndaj “Erzenit” kërkonte fitore dhe do ia arrinte. Meqë ai nuk pranoi të bënte këtë lëshim, unë nuk pranova të lozja kundër “Erzenit”. Ndeshja u nda 1-1 dhe “Erzeni” ra nga kategoria. Me këtë dua të them se nuk bëhej fjalë për pazare, kurrë dhe për asgjë.
Si të duket sot kampionati shqiptar dhe ekipet e futbollit?
Nuk ndjek thuajse fare futbollin shqiptar të asnjë kategorie. Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga koha kur ne loznim. Trajnerët, presidentët dhe vet futbollistët e dinë mirë se çfarë nuk shkon sot në futbollin shqiptar. Shqipëria ka kampionat shumë të dobtë të futbollit. Çfarë nuk dëgjon, çfarë nuk të zënë veshët sot. Ndeshje të shitura e të blera; hatërllëqe në përzgjedhjen e elementeve të futbollit; pazarllëqe për të futur në ekip të parë këtë e atë lojtarë; presidentë që fiksojnë ndeshjet para se të nisë takimi. Më mirë të mos flasim fare për këtë gjë. Shoh rregullisht kampionatin italian, gjerman, spanjoll… Më dhimbset në shpirt futbolli vendit tim, por nuk kam fuqi të ndërhyjë e as ta ndryshojë këtë lloj mentaliteti të gabuar që ka depërtuar
Short URL: http://bulevardionline.com/?p=7721





