Stuhitë dhe shiu i rrëmbyer kanë pushtuar pjesën jugore të Britanisë së Madhe duke ndezur qiellin. Sipas BBC, rreth 15 mijë vetëtima janë regjistruar për 4 orë mesnatën e së shtunës (26 maj 2018).

Aeroporti “Stansted” raportoi vonesa në fluturime mëngjesin e kësaj të diele, pasi një goditje vetëtime nxori përkohësisht jashtë funksioni sistemin e furnizimit me karburant të avionëve.

Shërbimi kombëtar i motit, “Met Office” bëri një paralajmërim në stadin e ngjyrës së verdhë për të pasur kujdes nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet përgjatë Uellsit dhe shumicës së territorit të Anglisë.

Mëngjesin e sotëm, stuhitë shkaktuan më shumë sesa 25 mm shi në disa pjesë të Uellsit dhe Midlands, për më pak se një orë.

Shërbimet e motit kanë njoftuar se në Anglinë jugore dhe në Uells do të vijojnë stuhitë e vetëtimat, që do shoqërohen me vonesa në trena apo autobusë.

Edhe pse moti mund të ketë shkaktuar frikë, disa njerëz kanë menduar që të shkrepin disa fotografi që duken spektakolare nga shfaqja e stuhisë në qiell.