27shtator 2015 – Një 38-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me litar në banesën e tij. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, ndërsa viktima është Julian Hako, i cili dyshohet se e ka ndërmarrë aktin e rëndë në kushtet e depresionit.
Por babai i viktimës, Bardhyl Hako akuzon shtetin për vdekjen e djalit të tij. “Shteti është përgjegjës për vdekjen e djalit tim. I kanë marrë banesën dhe nuk ia kthyen, ndaj vrau veten Juliani. Këtu nuk ka shtet, ka marrë fund gjithçka”, thotë Bardhyli, i pyetur nga News 24.
Mësohet se shkak për vetëvrasjen është bërë zgjatja pa fund e proceseve gjyqësore për rikthimin e banesës 34 metra katrorë në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, e cila i është zaptuar familjes Hako pa të drejtë në kohën kur ishin në emigrim. Banesa pa dijeninë e familjes Hako është shitur dhe rishitur të paktën 5 herë. Në vitin 2004 Bardhyl Hako, babai i Julianit hap proces gjyqësor për rikthimin e banesës që i kishin marrë pa të drejtë.
Por pas 11 vitesh përplasjesh familja Hako nuk ka gjetur zgjidhje, megjithëse procesi i ka kaluar të 3 shkallët e gjykimit. Në kushtet e një depresioni për shkak të mosgjetjes së zgjidhjes, 38-vjeçari i ka dhënë fund jetës.
/portali DurresLajm/