KOSOVE, 02 mars 2013– Pas protestave të dhunshme në Shkup, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje. Përmes një komunikate për mediat, kjo Lëvizje thekson se në vitin 2012 dhe 2013, albanofobisë maqedonase, diskriminimit social dhe përçmimit kulturor që manifeston pushteti maqedon kundër shqiptarëve iu shtua edhe një dukuri, që tashmë ka marrë formë konsistente: rrahja e të rinjve shqiptarë nga banda të organizuara.

Kumtesa e plotë e Vetëvendosjes

Këtu e një vit më parë (8 mars 2012) 15 nxënës shqiptarë nga fshatrat Çiflig dhe Seta Petkë të Karshiakës u rrahën brutalisht nga një grup i përbërë prej 20-30 maqedonësh në lagjen Kisela Voda të Shkupit. Dy ditë përpara ndërrimit të motmoteve, nxënësit maqedonë të shkollës ‘Vlado Tasevski’ sulmuan dhe lënduan nxënësit shqiptarë të shkollës ‘Marija Kiri Sklodovska’. Kurse me të filluar viti 2013 (më 4 janar) një grup i madh të rinjsh maqedonë rrahën mizorisht 4 të rinj shqiptarë 16 vjeçar në lagjen Aerodromi të Shkupit, e dominuar nga maqedonët. Të rinjtë shqiptarë po shkonin që ta jepnin testin e ndihmës së shpejtë, e nevojshme për marrjen e patent-shoferit.

Kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese dhe, me të hyrë në vitin 2013, ka filluar të bëhet praktikë e rregullt dhe e mirëorganizuar. Në ditën e djeshme, një grup i përbërë prej protestuesish maqedonë, të cilët ishin mbledhur për ta kundërshtuar zgjedhjen e Talat Xhaferit si ministër të mbrojtjes i Maqedonisë, dogjën flamurin shqiptar dhe ia mësyn Urës së Gurit. Çdo shqiptar që e panë e rrahën dhe e keqtrajtuan fizikisht. Mësohet se në mesin e të sulmuarve ka edhe gra e fëmijë. Disa prej të rrahurve ndodhen në spital për shkak të lëndimeve të rënda të shkaktuara nga ky sulm i planifikuar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon ashpër këto veprime kriminale të papranueshme. Ne konsiderojmë se sulme të tilla po ndodhin për shkak të atmosferës politike që ka krijuar pushteti maqedon në këtë shtet. Shqiptarët në Maqedoni trajtohen si qytetarë të dorës së dytë. Papunësia në mesin e shqiptarëve është e lartë, sepse diskriminimi social është institucionalizuar. Ndarja e buxhetit për shqiptarët është drastikisht shpërputhëse në raport me madedonët, kurse përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucionet publike është dramatikisht në shpërpjestim me shqiptarët si përqindje e popullsisë në Maqedoni. Përveç kësaj, institucionet më të larta shkencore maqedone, siç është Akademia, i kualifikon shqiptarët si ardhacakë dhe “njerëz malesh”.

Pikërisht për shkak të politikës zyrtare të Maqedonisë ndaj shqiptarëve ndodh që kjo qasje e pushtetit të krijojë një mjedis shoqëror që e nxit dhe ushqen albanofobinë. Një frymë e tillë fillon me tifozët fashistë dhe moton e tyre ‘shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur’, dhe shkon deri te rrahja e të rinjve dhe nxënësve shqiptarë nga bandat e organizuara maqedone. Që të gjithë frymëzohen nga politikat e Qeverisë Gruevski.

Prandaj nuk është aspak e befasishme, madje, është krejt racionale, që shqiptarët po protestojnë sot rrugëve të Shkupit, kundër kësaj dhune të shfrenuar nga maqedonët mbi bashkëkombësit tanë. Këto protesta nuk duhet ta kenë për qëllim sulmin e qytetarëve maqedonë, por të artikulojnë kërkesa të qarta politike kundër sjelljes së pushtetit maqedon që po eskalon në banda fashiste të maskuara. Shqiptarët duhet t’i masivizojnë protestat e tyre për barazi, mosdiskriminim, ndarje të barabartë të buxhetit, të drejta kombëtare etj. Policia maqedone në vend që të përdorte dhunë kundër protestuesve shqiptarë, do të duhej t’i kapte kriminelët, të cilët po i rrahin shqiptarët.

Kurse, në anën tjetër, politika zyrtare shqiptare i ka lënë shqiptarët nën mëshirën e bandave kriminale maqedonase, prandaj protesta duhet t’iu drejtohet atyre po ashtu. Krejt çka po sheh politika zyrtare shqiptare është pushteti dhe privilegjet personale që u pikin duke qëndruar nën hijen e një pushteti antishqiptar. Këta politikanë e çarmatosën UÇK-në, e dobësuan faktorin shqiptar, kurse tash merren vetëm me vetveten. Po ashtu, është obligim i qeverive dhe institucioneve shtetërore në Tiranë e në Prishtinë që të reagojnë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe kundër sulmeve të orkestruara ndaj tyre.