Vetëvrasja e 27-vjeçares në Kamëz pasi një 39-vjeçar i kishte nxjerrë një foto intime në TikTok ka tronditur mjaft opinionin publik.
Për këtë ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, pasi polica ka ndaluar 39-vjeçarin.
Balla shprehet se duhet parandaluar dhe eleminuar dhuna ndaj grave dhe vajzave. Sakaq, ai shton se nevojiten ndryshime ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, të cilat duhet të konsulutohen dhe miratohen sa më shpejt.
Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt.
#AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!