Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, ku shoferi i tij, Shkëlzen Qordja, u gjet i pajetë brenda makinës së tij në garnizonin e Gardës së Republikës.
Xhafaj shkruan se ka humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes së ministrit.
"Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vellezërve, të afermve e miqve të tij," shkruan ndër të tjera ai.
Reagim i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas vdekjes së shoferit te tij
U prefsh në paqe, i dashur Shkëlzen!
Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot.
Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime.
Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre.
Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vellezërve, të afermve e miqve të tij.
Ai ishte një djalë i shkëlqyer, një punonjës i papërtuar e fjalëpak, që la një boshllëk të madh pas vetes dhe nuk e meriton në asnjë mënyrë përbaltjen.
Faleminderit paraprakisht, kujtdo që do ta konsiderojë këtë apel njerëzor!





