Një prej banoreve të katit të 11-të të pallatit nga ku është hedhur 20-vjeçarja Klea Shyti, shprehet e tronditur për atë që ndodhi para derës së pallatit të saj. Madje, me sytë thuajse të mbushur me lot, gruaja rreth të dyzetave fajëson edhe veten për ngjarjen.
“Sikur të ma kishte dhënë Zoti të hapja derën vetëm pak sekonda para se ajo të hidhej, mund ta kisha ndaluar dhe do t’ia mbushja mendjen që të mos hidhej. Djem ka plot. Pse u nda nga i dashuri nuk është fundi i botës. Ajo ishte si dritë dhe shumë e re”, shprehet gruaja që s’pranoi të identifikohej me emër.
Më pas ajo tregon se nuk ka dëgjuar zhurma apo debat në shkallë, duke e përjashtuar mundësinë që ajo mund të kishte qenë me njeri aty. “Me shumë mundësi ajo ka ardhur vetëm deri këtu, pasi nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë.
Mendoj se i ka ngjitur në këmbë të 11 katet, pasi ashensori punon vetëm me kartë. E kam hapur derën vetëm kur erdhi policia, që dëgjova zhurma dhe pashë çantën e saj që e kishte lënë te dera ime”, shprehet ajo./Panorama