Tiranë, 12 qershor 2014 – Studentja e Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Iris Belba, e cila u hodh nga kati i 16-të i “Sky Tower” tri ditë më parë, kishte mbetur dy herë në provimet e lëndës “Kontabilitet financiar”.Ajo nuk kishte arritur notë kaluese në këtë lëndë një vit më parë, kur frekuentonte vitin e dytë të degës së Financës. Këtë vit ajo përfundonte vitin e tretë të studimeve, por ngelja në dy provimet e “Kontabilitetit” nuk e lejonte të hynte në diplomë, duke u dashur të priste sërish dhënien e provimit. Pasi nuk arriti të kalonte në vitin e dytë, 23-vjeçarja nga Fieri tentoi sërish këtë vit dhe nuk ia doli, shkruan “Panorama”.
Debatet në Facebook
Disa orë pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, një shoqe klase e Iris Belbës ka bërë një shënim të gjatë në faqen e saj në Facebook. Mes të tjerash, vajza me iniciale R.E shkruan: “Nuk mundem të rri pa thënë dy fjalë për atë ngjarje tronditëse që përjetova sot, për të vetmen arsye sepse e ndiej veten disi fajtore që kurrë s’e pyeta atë shoqe klase se çfarë e shqetësonte qe sillej aq çuditshëm, që kurrë nuk i rashë telefonit të saj për ti dëgjuar hallet, që kurrë s’e ftova për një kafe për ta njohur më tepër, që kurrë nuk i dhamë mundësinë të tregonte vetveten, që kurrë s`e afruam, që kurrë nuk e bëmë pjesë tonën. Irisi ishte një shoqe klase e ardhur në klasën tonë për arsyet e saja”. Më tej shoqe të 23 vjeçares fajësojnë pedagogun e lëndës ku kishte mbetur 23 vjeçarja. Sipas tyre, kalimi në stazh e ka tronditur edhe më shumë vajzën e re.
Ndërkohë dje iu dha lamtumira e fundit 23 vjeçares, Iris Belba, e cila u varros në qytetin e lindjes, Fier. Në ceremoninë mortore, krahas familjarëve dhe të afërmve të 23 vjeçares merrnin pjesë edhe shokë e shoqe të studentes që u vetëvra 3 ditë më parë.
Studentja tentoi të hidhej nga kulla, e ndaluan
Stafi parandaloi vetëvrasjen, urdhër të mos e lejonin në ndërtesë. Vetëvrasja e studentes 23-vjeçare Iris Belba ishte një ngjarje e paralajmëruar. Edhe një muaj më parë, ajo kishte tentuar të vetëflijohej në të njëjtën mënyrë, madje në të njëjtin vend. Në katin e 17 të kullës “Sky Tower”. Por në këtë rast ajo është ndaluar nga stafi i restorantit që ndodhet në tarracën e lokalit, të cilët e kanë tërhequr duke parandaluar vetëvrasjen. Burime pranë stafit të lokalit në katin e fundit të ndërtesës treguan dje për gazetën se, pasi ishte parandaluar hedhja e studentes nga lartësia, pronari i biznesit kishte urdhëruar që vajza të mos lejohej më të futej brenda godinës, qoftë edhe në hollin e saj. Në tentativën e parë, pra para një muaji, bari në tarracën e “Sky Toëer” ende nuk ishte hapur, por vajza është pikasur nga kamerierët e restorantit që ndodhet në krah, të cilët kanë nxituar, duke mos e lejuar 23-vjeçaren të vetëvritej. Ata nuk kanë arritur të shkëpusin asnjë fjalë nga Irisi në atë kohë, pasi sipas tyre vajza ka qenë mjaft e tronditur dhe ka filluar të qajë. Dy prej kamerierëve e kanë kapur nga krahët duke e detyruar të dilte jashtë e ndërkohë pronari, i cili po ashtu nuk ka mundur të bisedojë me të, ka dhënë urdhër që të mos lejohej më të futej brenda. Ngjarja e para një muaji nuk është bërë publike, madje nuk është denoncuar as në Policinë e Tiranës. Për këtë arsye, asnjë prej pjesëtarëve të stafit nuk pranon ta komentojë atë që ka ndodhur. Por tentativa e mëparshme e vetëvrasjes së studentes konfirmohet nga disa persona, që po ashtu punojnë në zyra të ndryshme, në ndërtesën 17-katëshe në zonën e ish-Bllokut. Ndërsa dy ditë më parë, duke qenë se ishte në dijeni se s’do e lejonin të futej brenda, Iris Belba është futur me nxitim dhe ka vrapuar tek ashensori që të ngjitej lart. Pa ngritur kokën në asnjë moment, ajo është futur në ashensor njëkohësisht me tri gra të tjera dhe, sapo është hapur dera, ka nxituar te vendi ku kishte tentuar të hidhej edhe para një muaji. Kësaj radhe ngjarja nuk ka mbetur më në tentativë, pasi Irisin nuk arriti ta ndalonte askush, duke qenë se gjithçka ndodhi shpejt dhe nuk mundën ta pengonin.
/agjencia e lajmeve ”Dyrrah”/





