(Në foto, shtëpia ku ndodhi vrasja)

Një sherr për motive të dobëta, pasi bashkëshorti ishte dehur duke pirë alkool me kunatin e tij, ka qenë shkaku kryesor për krimin e rëndë që u shënua në familjen Gjoka në Manëz.

Vëllai i Lumturie Gjokës, 38-vjeçares që mbeti e plagosur rëndë pasi e qëlloi bashkëshorti i saj i ndjerë, ka dëshmuar se si ndodhi ngjarja e rëndë. Ai së bashku me burrin e motrës, 41-vjeçarin Mondi Gjoka, kanë qenë duke pirë mbrëmjen e djeshme te shtëpia e babait të autorit. Në gjendje të dehur, ata kanë shkuar më pas të flenë në shtëpinë e Mondit dhe Lumturies, ku nisi dhe një sherr i vogël mes bashkëshortëve, që më pas përfundoi në tragjedi.

“Pasi rashë për të fjetur, dëgjova që motra me bashkëshortin po debatonin me tone të larta nga dhoma e tyre e gjumit. Më pas vjen mbesa ime, 13 vjeçe dhe më thotë që babai ka marrë automatikun. Si unë dhe motra dolëm menjëherë jashtë shtëpisë për të shpëtuar dhe vrapuam për në arë. Sapo motra ka mbërritur te pragu i shtëpisë së vjehrrit, aty e qëlloi me automatik i shoqi. Në atë moment del vjehrri i motrës dhe i thotë të birit: “Ç’na bëre, vrave gruan”. I lemerisur, ai shkon prapa shtëpisë me armë me vete”.

Pasi uniformat blu kishin mbërritur në vendngjarje, të cilat ishin njoftuar nga vëllai i Lumturies, nisin të negociojnë me autorin për të dorëzuar armën e krimit. Megjithëse policia kërkoi të bindë autorin duke i thënë që bashkëshortja e tij nuk ka vdekur, por duhej të dorëzohej pasi ai nuk e kishte vrarë gruan e tij, përpjekjet rezultuan të kota. Mondi Gjoka qëllon veten me automatik prapa shtëpisë duke mbetur i vdekur në vend.

E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të 4 fëmijëve të mitur të çiftit, duke i lënë ata të terrorizuar.