Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një konferencë nga selia e PS-së, thotë se 530 gjyqtarë e prokurorë kanë kaluar në filtrat e vetingut, prej të cilëve, 197 janë shkarkuar.

Manja ka ngritur dhe problemin se shumë prej gjyqtarëve janë dorëhequr pasi janë njohur me vlerësimet nga shkalla e parë e vetingut (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit).

“Jemi në ushtrimin e detyrës që na ngarkon Kushtetuta dhe Ligji. Lidhet me politikat e drejtësisë dhe janë atribut i kësaj mazhorance. Dhe të kërkosh rritjen e performancës, të kërkosh angazhimin e organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit, kjo lidhet me treguesit e kriminalitetit. Dua t;’ja nis me vetingun. Vetingu ka vlerësimin maksimal. Vetingu ishte mekanizëm për të pastruar llumin e gjyqtarëve nga sistemi i drejtësisë. Ja ka dalë me sukses.

800 gjyqtarë dhe prokurorë janë subjekte rivlerësimi. Në filtër kanë kaluar 530 gjyqtarë dhe prokurorë. Nëse vetingu është konceptuar si pastrim i drejtësisë, organet e tjera kanë përgjegjësinë për të hetuar deri në fund gjyqtarë dhe prokurorë që dolën nga sistemi për deklarim të rremë të pasurisë, deklarim të pjesshëm apo të rremë të pasurisë. Ku është shqetësimi ynë sot dhe në vazhdim? Nga 530 gjyqtarë dhe prokurorë, 197 prej tyre janë shkarkuar për deklarim të rremë, deklarim të pjesshëm, fshehje pasurie dhe mungesë burimesh financiare.

51 të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të procesit të vetingut. Në këto 50 që janë tërhequr, ka një shqetësim, 27 kanë dhënë dorëheqjen pasi kanë marrë vlerësimet nga KPK. Ndërsa pjesa tjetër ka dhënë dorëheqjen pas marrjes së vlerësimit, por nuk dihet fati i tyre. Ju e dini shumë mirë që ka vend dhe për ushtrimin e ndjekjes penale. Po t’u referohemi këtyre afateve. Për deklarim të rremë, për afro 22 gjyqtarë dhe prokurorë që janë larguar, referuar kohës kur është konstatuar ky fakt, për shkak të mosveprimit penal, rrezikon të shuhet. Një pjesë e gjyqtarëve të niveleve të ulëta, për këto vepra, janë subjekte të prokurorisë të zakonshme. Ndërsa për korrupsion e ka SPAK, ndërkohë që rrezikojnë të mos hetohen për shkak të kalimit të afateve. Për çfarë e bëmë këtë proces ne, që të shkarkojmë disa gjyqtarë dhe prokurorë nga puna?” – tha Manja.