Vetmia rrit rrezikun që të sëmuresh nga infarkti i zemrës, hemoragjia cerebrale apo demenca. Sipas një studimi të ri britanik vetmia mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së Parkinsonit.

Njeriu është qenie sociale, ai ka nevojë për lidhje njerëzore. Vetmia nuk është problem vetëm në moshë të madhe, kur zvogëlohet kontakti me familjen, një partner ndërron jetë apo kur njeriu nuk është më aq mobil. Parë nga ana psikologjike dikush është i vetmuar, kur e ndjen si të dhimbshme vetminë apo ndjehet i izoluar megjithë kontaktet sociale dhe nuk ndjehet askund pjesë.

Të vetmuar nuk janë vetëm të moshuarit

Jo vetëm të moshuarit, edhe të rinjtë apo 30 vjeçarët mund të ndjehen të vetmuar, si për shembull pas dështimit të lidhjes me një partner/e ose nëse nga ana sociale ndjehen të izoluar. Vetminë e ndjejnë edhe njerëzit në fundin e të 50-ve, për shembull kur fëmijët largohen nga shtëpia dhe krijohet një gjendje zbrazëtie.

Natyrisht është pozitive që të jesh nganjëherë vetëm. Po edhe kur nuk je vetëm, mund të ndjehesh i vetmuar. Vetmia në këtë kuptim është më shumë një ndjesi, që është e vështirë të matet. Nga ana tjetër ndërveprimi social mund të matet.

Vetmia të sëmur

Vetmia kthehet në problem, kur bëhet kronike dhe sjell me vete mungesën e kontakteve sociale. Sepse vetmia ndikon negativisht në psikikën e njeriut dhe shëndetin fizik. Mungesa e lidhjeve sociale për një kohë të gjatë ndërkohë kategorizohet po aq e rrezikshme sa konsumi i alkoolit, nikotina, kequshqyerja apo mungesa e vazhdueshme e lëvizjes.

Parë nga zhvillimi historik, njerëzit janë përpjekur gjithnjë të jetojnë në komunitet. Së bashku mund të mposhten më mirë rreziqet dhe të sigurohet mbijetesa. Kur ne njerëzit varemi vetëm tek vetja, kjo e vendos trupin tonë një gjendje alarmi, dhe ai prodhon me shumicë hormonin e stresit, kortizol.Të vetmuarit lëshojnë më shumë hormone stresi

Sipas llogaritjeve, njerëzit e vetmuar shfaqin një nivel të lartë të kortizolit që çon në plan afatgjatë në rritjen e tensionit të gjakut dhe vlera të larta të sheqerit. Sistemi imunitar dobësohet, trupi nuk i lufton dot mirë inflamacionet në trup dhe kjo nga ana e saj favorizon sëmundjen kardiovaskulare. Vetmia kronike pra rrit ndjeshëm rrezikun e infarktit të zemrës, të hemoragjisë cerebrale, kancerit apo demencës. Sipas një studimi britanik, vetmia mund të rrisë edhe rrezikun e sëmundjes nga Parkisoni.

Studimi për vetminë dhe Parkinsonin

Vetmia në vetvete nuk shkakton Parkison, shkaku për këtë sëmundje neurodegjenerative nuk është shumë i qartë. Në mënyrë tipike Parkisoni shfaqet në fillim me ngrirje muskujsh, ngadalësim të lëvizjes dhe dridhje të pakontrolluara. Por sipas një studimi afatgjatë, të publikuar në tetor në revistën mjekësore, “JAMA Neurology”, rrezikun që të sëmuresh me Parkinson është 37%e më i lartë tek njerëzit e vetmuar. Madje edhe kur ishin nxjerrë jashtë llogaritjeve faktorë si predispozicioni gjenetik apo sëmundje të tjera, personat e vetmuar shfaqnin një rrezik 25% më të lartë të sëmundjes nga Parkinsoni, thuhet në studim. Për këtë studim shkencëtarët shfrytëzuan të dhëna nga 491.603 persona nga database britanik UK Biobank.

Vetmia si simptomë e hershme e Parkinsonit

Nina Browner, profesore e neurologjisë dhe drejtuese e Departamentit për Lëvizjet e Kufizuara në Universitetin North Carolina School of Medicine thotë se studimi nuk mund të provojë përfundimisht, që vetmia shkakton Parkinson. Studimi është vetëm eksplorues dhe pikënisje për studime të tjera.

Por një gjë është e qartë, që vetmia krahas depresioneve, neurozës së frikës apo lodhjes është një simptomë e hershme jo-motorike për sëmundjen e Parkinsonit – Të gjitha këto shenja mund të kristalizohen në një fazë të hershme të sëmundjes dhe mund të manifestohen disa vite përpara diagnozës së Parkinsonit, janë të mendimit studiuesit.

Ide kundër vetmisë

Kur njerëzit janë të vetmuar, mundet që bisedat telefonike apo video-telefonatat mund të zbusin disi distancën dhe të krijojnë një ndjesë bashkëpërfshirjeje. Por asgjë nuk e zëvendëson kontaktin personal. Vetmia nuk është diçka që e zgjedh vetë. Por kush ndjehet i vetmuar, duhet që të bëhet vetë aktiv dhe të kërkojë kontakte me të tjerët. Një hobby i ri apo pjesëmarrja në një kor e të tjera ndihmon kundër vetmisë. Një qen e ndryshon jetën dhe sjell kontakte me persona të tjerë që mbanë qen. Ushtrimi i një pune vullnetare mund të krijojë ndjesinë e të qenurit i vlefshëm.

Të gjitha idetë janë të mira, por për shumë vetë rruga e daljes nga vetmia është shpesh e vështirë. Të flasësh drejt me të panjohurit? Të marrësh pjesë në kurse? Të angazhohesh vullnetarisht? Për disa është më e lehtë. Miqtë, të afërmit, fqinjët mund të ndihmojnë në hapat e parë e daljes nga vetmia. Nëse pas vetmisë fshihet pasiguria apo një vetëbesim i vogël, mund të ndihmojnë biseda me psikoterapistin. Në fund të fundit vetminë duhet ta tejkalosh edhe si masë mbrojtëse për trupin. Ai do të jetë një ditë mirënjohës!/DW