Dita e tretë e testeve në pistën spanjolle të Katalunjës kanë konfirmuar se progresi që ka bërë makina e Ferarit është e ndjeshme, duke qenë më e shpejta në pistë me pilotin gjerman Sebastian Vettel. Ai xhiroi 156 xhiro, duke dhënë kohën 1’19”024, kohë rekord për këtë pistë, e realizuar gjatë sesionit të paradites.

Në vendin e dytë u rendit Lewis Hamilton me Mercedes, por që zhvilloi 52 xhiro, ndërsa Bottas me makinën tjetër gjermane, realizoi 95 xhiro (u rendit i teti). Duket qartë që këto dy makina, Ferrari e Mercedes, do të duelojnë për titull këtë sezon, teksa Red Bull duket një hap pas me përgatitjet e saj për 2017-ën. Ricciardo u rendit në vendin e gjashtë, me gati dy sekonda më shumë, ndërsa McLaren zuri vendin e shtatë me Vandoorne. Sot do të zhvillohet dita e fundit e testeve në pistën e Katalunjës, ndërsa më 26 mars do të zhvillohet gara e parë e Botërorit të Formula 1, në Australi.