Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se këtë të mërkurë është kaluar ligji i ri për noterët.

Ministri u shpreh se noterët aktual do t’i nënshtrohen një lloj procesi vettingu i cili do të kryhet nga kjo ministri dhe se do të përcaktohen kritere të reja për futjen në këtë profesion.

Sipas Manjës ky proces ka për qëllim të largojë nga sistemi të dënuarit dhe ata me kontakte të papërshtatshme.

“Sapo kaluam në qeveri ligjin për disa shtesa dhe ndryshime për noterinë, i cili do të paraqitet në Kuvend. Kjo është një nga nismat më të rëndësishme që lidhet me profesionin e noterit. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve përcaktohen kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakteve të papërshtatshme me krimin e organizuar ose me persona të dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Këtyre kritereve të reja do t’u nënshtrohen edhe noterët që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial nëpërmjet inspektimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë”, tha Manja.