Komisioneri Publik ka ankuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur me konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës Erion Pano.
Pano u konfirmua në detyrë nga KPK më datë 24.11.2022 dhe aktualisht është i komanduar në pozicionin e Këshilltarit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik nga ana e tij konstaton se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të shkarkohet nga detyra, Erion Pano.
Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005.
Prej vitit 2013 deri në 2018-ën ai ka ushtruar funksionin e zëvendës drejtuesit në këtë prokurori dhe nga viti 2020 është komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.