Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj në një dalje për mediat ka komentuar për amendamentin e PD-së që u propozua në Kuvend për vettingun e politikanëve.
Rushaj u shpreh se do të veprohet njësoj si me prokurorët dhe gjyqtarët.
Ai tha se ndonëse PD ka rezerva për punën e SPAK, ky proces do të jetë i hapur dhe publik, përfshi edhe vendimmarrjet.
“Në propozimin tonë ne kemi përfshirë standardin i cili është diskutuar, miratuar dhe aplikuar dhe gjetur në përputhje me procedurat për rastin e magjistratëve. Nuk është e arsyeshme që magjistratët t’i gjykohet integriteti i tyre mbi bazën e standardeve, ndërsa me politikanët përdorim standard tjetër. Ajo që keni lexuar në draft, ka kaluar në të gjitha filtrat e gjyqësorit, përfshirë dhe në raportin e Venecias. Çdo fjalë është përfshirë në draftin tonë, është fjalë e marrë nga standardi që është vendosur te magjistratët, nesër do të kishit shqetësim këtë duhet ta kishit bërë me magjistratët. Është dakorduar dhe kaluar në filtrat e ligjshmërisë përfshi Gjykatës Kushtetuese dhe Venecias.”, tha Rushaj.





