Parlamenti votoi sot në një seancë të jashtëzakonshme ngritjen e komisionit ad-hoc, që do të verifikojë kandidatët për institucionet e Vettingut.

Seanca u zhvillua pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila ka bojkotuar parlamentin prej  53 ditësh.

Të pranishëm në seancë ishin 87 deputetë. Mazhoranca propozoi katër kandidatura për tre pozicione në komisionin ad – hoc, nga të cilat kreu i PDIU Shpëtim Idrizi humbi garën.

Mazhoranca do të përfaqësohet në këtë komision nga Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja për Partinë Socialiste dhe Luan Rama për LSI-në.

Ulsi Manja: 78 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim,

Vasilika Hysi – 80 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim,

Luan Rama – 85 vota pro, 1 abstenim,

Shpëtim Idrizi – 23 pro, 7 kundër, 50 abstenim.

“Shpallen fitues, zoti Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Luan Rama,” tha Meta.

I gjithë projektvendimi në tërësi u votuar me 85 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim.

 Por, kushtetuta përcakton që përbërja e këtij komisioni është e barabartë, ku tre anëtarë i takojmë maxhorancës dhe tre të tjerë opozitës.

Ndërkohë, tre vendet që do të përfaqësonin opozitën në komision ad-hoc kanë mbetur bosh.

Komisioni ad – hoc do të duhet të përzgjedhë 27 anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelimit dhe nga dy Komisionerë publikë dhe zëvendësat e tyre.

Avokati i Popullit ka dërguar në parlament 84 kandidatura, ndërsa Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dha vlerësim pozitiv për 67 prej tyre.