TIRANE, 10 mars 2013- Ish-kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, pedagogu në Inxhinierinë e Ndërtimit, Agron Jano i vetëvra dje në mbrëmje.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunes në orën 20:30-21:00 tek zona e e njohur me emrin Blloku në Tiranë, kur Jano është hedhur nga ballkoni i katit të katër të pallatit ku banonte.

Në momentin që ka kryer aktin e vetëflijimit, në banesë ndodhej vetëm Jano, kurse gruaja dhe fëmijët kishin dalë. 

Nga hetimet paraprake, shkak dyshohet se ka qenë një ngarkesë e rënduar psikologjike që ka shtyrë profesorin e Arkitektures drejt këtij vendimi ekstrem. 

Agron Jano ka lindur në Fier, në vitin 1954. Është diplomuar si arkitekt në Universitetin e Tiranës në vitin 1977. Krahas aktivitetit projektues si arkitekt objektesh të rëndësishme dhe panairesh në Shqipëri, Francë, Itali, Gjermani, Zvicër, Portugali e Kosovë, ka marrë pjesë edhe në konkurse ndërkombëtare siç janë: Katedralja Ortodokse e Tiranës (2001), vlerësuar me çmimin e dytë; Studimi Urbanistik i Qendrës së Durrësit (2005), vlerësuar gjithashtu me çmimin e dytë; Parlamenti i Shqipërisë (në bashkëpunim me ark. Mario Campi dhe ark. Fabio Reinhart (2007), vlerësuar me çmimin e parë. Ka qenë kryetar i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (2001-2008). 

Prej 1978 deri sot është pedagog i jashtëm pranë Departamentit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës.