DURRËS, 15 qershor 2013 – Nga njoftimet që vërshojnë në agjencinë e lajmeve “Dyrrah” nga tre zëdhënësit, del që në qarkun e Durrësit PD-ja ka vetëm dy kandidatë dhe jo 13.
Përveç takimeve dhe blic-mitingjeve të panumërta të kreut të PD-së dhe Qeverisë Sali Berisha në qarkun e Durrësit që pasqyrohen dhe nga vetë kabineti i tij, në lajmet tona dalin kryesisht dy emra në fushatën elektorale të së djathtës kryesore: zz. Eduart Halimi dhe Igli Cara, tek-tuk të tjerë.
I pari është ministër i Drejtësisë dhe kryetar i shtabit elektoral, i dyti kryetar i degës së PD-së.
Por PD-ja e Qarkut ka dhe 11 kandidatë të tjerë: z./znj. Albana Vokshi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Osman Metalla, Vullnet Topalli, Lufter Xhuveli, Kseanela Myderizi, Zamir Ramadani, Merita Bakiu, Arian Dedei, Mirlinda Çeka.
Ndoshta, këta të 11-ët nuk i vlerësojnë piar-ët (shqiptim i inicialeve PR – public relations), ndoshta nuk kanë mundësi apo ekzistojnë arsye të tjera, por ata nuk përfaqësojnë vetveten, janë të Partisë Demokratike, për më tepër që nuk është sistemi proporcional që nxjerr në pah individët.
Nuk ka pse zz. Halimi dhe Cara të mos organizojnë rrjet piar-ësh për të pasqyruar veprimtaritë e të gjithë ekipit të PD-së.
Do të ishte mirë që zz. Halimi dhe Cara të mos harronin se vërtet ata e kanë të sigurt zgjedhjen si deputetë, por do të mbanin përgjegjësi para Doktorit për ndonjë dështim potencial të së djathtës në Durrës.
Ata e njohin mirë zemërimin e Berishës, për më tepër, që ai po bën dhe punën e tyre!
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





