Pasi ka arritur marrëveshjen për Sime Vrsalikon, tashmë Interi do përqendrojë të gjitha forcat te goditja e fundit e merkatos. Arturo Vidal do plotësojë “mozaikun”, duke i dhuruar Spaletit një tjetër kampion pas Naingolanit. Bajerni i Mynihut në fakt duket t’i jetë dorëzuar ofertës së paraqitur nga drejtori sportiv Piero Auzilio. Kiliani do transferohet përmes formulës së huazimit për një total prej 20-22 milionë eurosh.
Një shifër absolutisht e përballueshme, edhe pse mbetet për t’u përcaktuar kostoja e huazimit (pritet të jetë, sipas mediave italiane, 8 milionë: kështu do plotësoheshin 30 milionët e kërkuar nga bavarezët për mesfushorin). Ndërsa lojtarit në krahun tjetër i është ofruar një kontratë trevjeçare prej 4,5 milionësh në sezon.
Gjithçka do ecë përpara, megjithatë, pasi Vidal të ketë firmosur zgjatjen e kontratës së tij aktuale me gjermanët, në skadencë në vitin 2019, me një tjetër sezon. Pasi të jetë firmosur kontrata me bavarezët, do hapen dyert e transferimit në Milano, ku Vidal mund të zbarkojë që ditën e shtunë dhe mund të “gjejë” fanellën e tij të preferuar. Në këtë aspekt, një tregues ka ardhur nga faqja zyrtare e zikaltërve: Zhoao Miranda, që kishte zgjedhur 23-shin (numrin e Arturos), ka kaluar sërish te 25-a. Kur vjen “mbreti”, çdo dëshirë e tij është urdhër.
E tashmë, Luçiano Spaleti mund të fërkojë duart dhe të buzëqeshë, jo më me “ngërdheshje” siç e ka “zakon”, pasi nuk i mungojnë më alternativat. Madje, ka “dy” skuadra të bazuara (nga dy elementë për rol) në skemën 4-2-3-1 e mund të përdorë edhe modulin me tre mbrojtës.Të shumtë pyesin nëse dyshja Vidal-Naingolan do mund të “bashkëjetojë”. Në pritje të “përgjigjes” nga fusha, njërën e jep historia: të dy kanë treguar gjatë karrierës se zotërojnë një polivalencë taktike që ia lehtëson punën çdo trajneri. Pa lënë mënjanë edhe vlerën e shtuar në qendër të mbrojtjes me holandezin De Vraj (përkrah “murit” tjetër Shkrinjar), krahun e majtë të mbrojtjes ku ka ardhur Azamoah dhe anën e djathtë të këtij reparti, ku do të luajë nënkampioni i botës, Vrsaliko.
Afrimi i të cilit gëzon më tepër trajnerin zikaltër: jo vetëm sepse mbush më në fund hapësirën e lënë nga largimi i Kanselos, por mbi të gjitha sepse ka nëpër duar një lojtar taktikisht të disponueshëm në module të ndryshme (me mbrojtjen me tre apo me katër). Tani do i takojë Spaletit t’i japë një identitet preciz taktik. Zgjedhjet në dispozicion të trajnerit interist janë të shumta: 4-2-3-1 (sistemi më i përdorur gjatë sezonit të kaluar) apo mbrojtja me 3, modul i provuar vazhdimisht gjatë fazës përgatitore.





