I vënë në qendër të akuzave ditët e fundit për bashkëpunim me elementët kriminalë më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave, ka reaguar sot kryebashkiaku Vangjush Dako.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me përgjimet e fundit që pretendon opozita në lidhje me të, Dako i hodhi poshtë dhe tha se është shumë i qetë. Sipas tij, këto akuza vijnë nga opozita mjerane thjesht për të baltosur Durrësin pasi kanë mbetur vetëm me 4 deputetë.

“Nuk ia vlen që të merremi pafundësisht me këtë temë. Unë e kam dhënë përgjigjen time, jam shumë i qetë, vazhdoj të punoj në dobi të qytetarëve. Ne punojmë, nuk merremi me llafe. Fjalët janë të tepërta, ne jemi të përqendruar te puna.

Padyshim që i hedh poshtë këto akuza. Nuk i marr në konsideratë, janë thjesht thashethemnaja për të baltosur Durrësin sepse kanë mbetur mjeranë me 4 deputetë dhe kjo i shqetëson shumë”, u shpreh Dako paraditen e sotme, teksa ndodhej gjatë aksionit të pastrimit të territorit pranë Urës së Dajlanit.

Të hënën, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se Dako është kapur “gafil” nga ndërkombëtarët duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, të cilëve u kërkon të vjedhin dhe blejnë votat në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Shërbimet Inteligjente duke përfshirë ato të vendeve partnere, sipas PD-së, e kanë kapur Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. “Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve  tendera. Janë miliona euro që Dako u ka premtuar kriminelëve vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtet për PS”, tha Basha.

S.L.