“Vetëm një rresht me tavolina dhe karrige do të ketë në trotuaret e Rrugës Tregtare në Durrës. Asnjë vazo luleje, prita betoni, apo ndarje të tjera, nuk mund të pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve durrsakë në hapësirat e destinuara për publikun”. Këtë deklaratë bëri shefi i Policisë Bashkiake Vasip Çopa për “DurrësLajm”.
Aksioni i Policisë Bashkiake për lirimin e hapësirave publike është zhvendosur nga periferia në Rrugën Tregtare, në zemër të Durrësit, aty ku forcat e Policisë Bashkiake, të Tatim-Taksave, INUK-ut, të mbështetur nga Policia e Rendit, kanë bërë të mundur heqjen e të gjitha sendeve të paligjshme që kishin bllokuar kalimin e njerëzve në trotuare dhe rrugë.
Aksioni ka përfshirë edhe rrugicat përrreth Amfiteatrit, që gjithashtu në vite ishin zaptuar nga ambulantët që tregtonin në rrugë.
Autoritetet vendore janë zhvendosur në zemër të qytetit bregdetar pas largimit të ambulantëve që kishin zaptuar disa rrugë kryesore në lagjjen numër 16 në Durrës.
K.H.





