Prej gati dy javësh, shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në qytetin e Durrësit ka hapur dyert për nxënësit e saj. Megjithëse pas thuajse dy vjetësh, nxënësit u rikthyen në vendin ku ishte më parë godina e vjetër e kësaj shkolle, dhe pas një rindërtimi të godinës së re që ka kushtuar plot 860 milionë lekë, nuk mungojnë problematika të ndryshme dhe shqetësime të shumta nga ana e prindërve.

Shkolla, vërtet ka hapësira e kapacitete më të mëdha se godina e vjetër (nga 1050 m² që ishte godina e mëparshme, në 1550 m² sipërfaqja e çdo kati aktual), por mësimi po zhvillohet me dy turne. Sakaq, prindërve iu kërkua në emër të Bordit të shkollës pak ditë para nisjes së procesit mësimor, një shumë prej 1000 lekësh të rinj, nisur nga domosdoshmëria për të plotësuar kërkesat emergjente të shkollës së re.

Lidhur me këto problematika dhe ankesa të shumta të prindërve, drejtori i shkollës, Arben Peza, shpjegon për “DurrësLajm” se shkolla nuk është ende gati, dhe shtesa e hapësirave që janë bërë në godinën e re, në fakt janë sallat e laboratorëve, të cilët ende nuk janë funksionalë dhe nuk janë pajisur me bazë materiale.

Për këto e arsye të tjera, siç është lëshimi i dy klasave për përdorim për një kopsht të qytetit, i cili do t’i nënshtrohet rikonstruksionit; dhe po ashtu rritjes në perspektivë të numrit të nxënësve në muajin shtator 2019, drejtori Peza sqaron se mësimi do të vijojë të zhvillohet me dy turne edhe përgjatë vitit të ardhshëm shkollor.

“Sado të mundohemi ne, gjithë këto klasa nuk mund të bëjnë mësim paradite. Pra, edhe vitin tjetër, do të jenë mësim paradite edhe pasdite. Kjo infrastrukturë nuk e plotëson që mësimi të zhvillohet në orarin e paradites”, thekson Peza.

Duke iu përgjigjur ankesave të prindërve lidhur me kontributin prej 1000 lekësh që iu kërkua nxënësve për këtë vit shkollor (lexo këtu), drejtori i “Marie Kaçulini”-t sqaron se kjo shumë do të përdoret për mirëmbajtjen e shkollës dhe për shërbime të tjera, siç përfshihen pagesat e sanitareve, pajisja me perde e vazo lulesh.

Por krahas problematikave dhe mangësive të evidentuara në këtë shkollë të re, që megjithëse ka ulur në banka nxënës nga klasa I – IX, ende nuk ka përfunduar edhe pas dy vitesh, disa prindër kanë pretendime të tjera. Ata kanë përcjellë shqetësimin e tyre në redaksinë e “DurrësLajm”, se një ndër shkaqet që mësimi bëhet me dy turne, po ndodh sepse mësues të kësaj shkolle gjatë paradites japin mësim në shkolla të tjera private.

Peza sqaron se përsa kohë nuk cenohet procesi mësimor, kjo është e drejta e mësuesve, të cilët në rrugë ligjore mund të punojnë dhe në dy institucione arsimore.

Ndjekim të plotë prononcimin e drejtorit Peza.

S.L.