Të paktën 11 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Puno të Perusë.

Mediat e huaja bëjnë me dije se një autobus me pasagjerë për arsye ende të paditura doli nga rruga dhe ra në greminë.

Nga aksidenti mbeti i lënduar gjithashtu një i mitur.

“Njëmbëdhjetë persona kanë vdekur dhe një fëmijë u plagos pasi një minibus ra në greminë,” i tha AFP një oficer policie në Sandia, në prefekturën Puno, rreth 1200 kilometra në juglindje të kryeqytetit Lima.

Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit dje, teksa autobusi me të paktën 12 pasagjerë po udhëtonte nga Chouliaka për në Sandia.

Mes viktimave janë tre mësues dhe shoferi, sipas policisë.

Aksidentet rrugore me fatalitet janë të shpeshta në Peru, kryesisht për shkak të shpejtësisë tej normave, gjendjes së keqe të rrjetit rrugor, si dhe mungesës së sinjalizimit dhe kontrolleve nga policia.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Transportit, në vitin 2023, 3316 persona kanë humbur jetën në rreth 87172 aksidente rrugore.