Video e mëposhtme tregon momentin e vrasjes së Erjon Javorit në Fier.

Siç shihet dhe në video, autori i dyshuar i ngjarjes, Agim Gashi ka qenë duke lëvizur me makinën tip “Benz” kur i është afruar mjetit tip fuoristradë në të cilën ndodhej Erjon Javori, ndaj të cilit ka qëlluar me plumba nga xhami i mjetit. Pas të shtënave me armë, të dy makinat shihen se kanë marrë drejtime të ndryshme.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth mesditës së kësaj të enjte në lagjen 16 Prilli në Fier, ku viktima u qëllua me breshëri plumbash vetëm pak metra larg banesës së tij. Autori, Agim Gashi u largua me shpejtësi dhe tashmë është shpallur në kërkim nga policia.

Identifikimi i tij u bë përmes kamerave të sigurisë në zonë, pasi lagjia ku ndodhi vrasja e 41-vjeçarit Javori është e mirëmonitoruar. Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria e Fierit dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se bëhet fjalë për një konflikt të krijuar pas një krushqie të prishur. Megjithatë pavarësisht këtyre dyshimeve policia vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.