Mungesa e infrastrukturës në zonën e ish-Kënetës ka bërë që banorët e zonës të protestojnë sërish brenda pak kohësh.

Banorët kërkojnë nga bashkia të bëhen kanalizimet, shtrimi dhe ndriçimi i rrugëve në këtë pjesë të qytetit, për të cilat prej vitesh paguajnë taksat ndonëse ato mungojnë.

“Ne kërkojmë prej Bashkisë kanalizimet, kërkojmë për rrugët e ndriçimin e lagjes. Po të dojë bashkia na stabilizon siç ka stabilizuar 70% e pjesës së Kënetës së Durrësit. Ne paguajmë taksat për gjelbërim, për ndriçim, dhe asnjë lloj mase nuk është marrë për vite me radhë.”

Situata rëndohet së tepërmi në periudhën e reshjeve, ku uji depërton edhe në oborret dhe banesat e qytetarëve. Këta të fundit kanë një pyetje për kryeministrin e vendit.

“Jemi në mes të kanaleve të ujërave të zeza, në mes të baltës, në mes të gropave dhe jemi 4mijë-5 mijë frymë dhe nuk pyet askush. Në shtëpiat tona kanë qenë 40 cm ujë, 5 ditë rrjesht. Ne i drejtohemi kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës, Bashës, që më 25 prill do kërkojnë votat tona: Me çfarë të drejte njerëzorë dhe shpirtërore vijnë të na kërkojnë votat këtu? Që nga zyra e tyre e deri këtu është 20 minuta me makinë.”

Nese bashkia nuk i jep zgjidhje problemit të tyre, banorët thonë se protestat do të pershkallëzohen deri në bllokimin e rrugëve.

“Jemi në skëterr. Në Durrës prishen e rregullohen e këtu fare. Kryeministri të mbajë fjalën, ka thënë do e bëj Durrës të Ri, nëse nuk mban fjalën do përshkallëzojmë protestat, do bllokojmë rrugët.”

Sipas banorëve, ata deskriminohen pasi nuk i kanë dhënë votën pushtetit vendor dhe për faktin se janë të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

“Ne na kanë deskridituar me një arsye; Ju s’më jepni votën, ne nuk do t’ju bëjmë asnjë shërbim. Ky ka qenë reagimi i Vangjush Dakos për 12 vite. Ne jemi deskriminuar si zonë vetëm se jemi të gjithë të ardhur, dhe nuk na përkrahin për asnjë lloj gjëje.”