Ka nisur në Gjykatën e Durrësit seanca për dhënien e masës së sigurisë ndaj dy autorëve të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia.
Autorët e ndaluar janë:
Altin Ndoci, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
K. A., 22 vjeç, banues në Durrës.
Seanca gjyqësore po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe pa praninë e mediave.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg pa afat për Altin Ndocin dhe 22-vjeçarin me inicialet K.A. nga Durrësi, që ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë.
Siç shihet edhe nga pamjet që përcjell “DurrësLajm“, dy autorët janë shoqëruar drejt sallës së gjyqit me forca të shumta policore dhe masave të rrepta të sigurisë.
Këta persona në bashkëpunim edhe me dy të tjerë që janë në kërkim, akuzohen se janë autorë edhe të ngjarjes së ndodhur më 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit Dorian Shkoza, 35 vjeç dhe Anxhelo Avdia, 24 vjeç.
Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.





