Në një dalje publike për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit parlamentar të PD-së, tregoi edhe personin me imunitet sipas tij që i bëri presion policisë së Durrësit për të liruar Durim Keçin, i cili kërkohet nga autoritetet italiane për trafik droge. Sipas Bashës, ishte pikërisht kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako si dhe të paktën një tjetër deputet i PS-së, që nuk ia përmendi emrin, ata që kanë ushtruar presion politik në polici.
“Vetëm të enjten e kaluar një nga gazetarët kurajoz, Artan Hoxha bëri me dije se pas arrestimit persona me imunitet janë paraqitur në komisariatin e policisë për t’i ushtruar presion politik. Në dijeninë tonë bëhet fjalë për kryebashkiakun dhe përfituesin direkt të bandave të Durrësit Vangjush Dako dhe të paktën një deputet të PS-së. Këto janë prova që flasin qartë se kjo qeveri dhe ky kryeministër është një mbrojtës dhe promovues i krimit. Krimi i organizuar shqiptar dhe mafia shqiptare tek kjo qeveri ka një mbrojtës. Beteja më jetike për shtetin shqiptar dhe qytetarët e zakonshëm është që të largohen ata që janë në krye, kryeministrin Rama dhe mashat e tij në pushtet”, pohoi Basha.
Durim Keçi u arrestua disa ditë më parë në qytetin e Durrësit pasi ishte në kërkim nga Interpoli në Itali, nën akuzën e trafikut të drogës, ‘Pjesëmarrje në organizata kriminale’ si dhe ‘Shfrytëzim prostitucioni’. Sipas kreut të PD-së, Durim Keçi është përdorur nga kryeministri Edi Rama për fushatat elektorale. Mes të tjerash në media u bë publike nga kryedemokrati Basha një foto, ku dukej Keçi duke marrë pjesë në takimet e Partisë Socialiste, si dhe me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.





