Një nga sezonet më emocionuese të kampionati brazilian përfundoi të mërkurën me Palmeiras, skuadrën më stabile të sezonit që mbrojti titullin e saj dhe Santos, që ra për herë të parë në historinë 111-vjeçare një kategori më poshtë.

Palmeiras barazoi 1-1 në Cruzeiro për t’u kurorëzuar kampione e Brazilit për herë të 12-të.

Nderkohë Santos u mposht në shtëpi nga Fortaleza 2-1 në stadiumin ku u bë funerali i Pelé në janar dhe zbriti në Serie B braziliane.

Skuadra e qytetit bregdetar ishte një nga tre klubet, së bashku me Sao Paulo dhe Flamengo, që nuk kanë rënë kurrë nga Serie A e Brazilit, por një seri skandaloze prej pesë ndeshjesh pa fitore bëri që ata të zbresin në vendin e 17-të në renditje me 43 pikë dhe rrjedhimisht të bien nga kategoria.

Pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit tifozët nuk i mbajtën dot lotët, ndërsa disa të tjerë u futën në fushë për të dhunuar futbollistët, por u ndaluan nga forcat e policisë.

Ndërkohë në rrugët e Brazilit, tifozët e Santosit, të zemëruar shkaktuan trazira në qytet duke djegur automjetet dhe thyen dyqane, bare e çfarëdo që iu doli përpara.