Policia greke ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë se si anëtarët e bandës shqiptare në Athinë vidhnin qytetarët në stacionet e metrosë dhe në aeroport.

Në dosjen hetimore thuhet se anëtarët e bandës përziheshin në turmën e qytetarëve dhe u vidhnin atyre portofolat, celularët dhe sende të tjera personale.

Në video shihen personat me rreth të kuq, të identifikuar nga policia greke si anëtarë të bandës. Disa prej tyre qëndrojnë në platformën e metrosë dhe sillen sikur nuk e njohin njëri-tjetrin.

Ndërkohë, të gjitha veprimet e anëtarëve të bandës mbikëqyren nga drejtuesja e tyre, një 36-vjeçare shqiptare e quajtur Fatmira Cami. Ajo përdor edhe dy emra të tjerë, Romina dhe Antonia. 36-vjeçarja tashmë ndodhet prapa hekurave, së bashku me 30 persona të tjerë anëtarë të kësaj bande. Në këtë bandë, 27 anëtarë janë shqiptarë, përfshirë edhe Fatmirën. Prej 10 vitesh, banda e grabitësve funksiononte në mënyrë aktive.

Hetuesit grekë thonë se deri tani janë dokumentuar 700 vjedhje, ndërsa dyshohet se ka kryer 4 mijë raste të vjedhjeve. Bashkë me Fatmirën, banda drejtohej edhe nga një 32-vjeçar shqiptar. Fitimet ishin marramendëse.

Fatmira paguante edhe disa efektivë policie të korruptuar për t’u siguruar mbrojtje anëtarëve të tjerë. E gjithë skema e funksionimit të tyre është zbardhur nga policia greke. Banda e kishte përqëndruar aktivitetin e saj kryesisht në aeroportin e Athinës dhe në stacionet e metrosë gjatë orareve të mëngjesit kur njerëzit shkonin në punë dhe pasdite kur ktheheshin nëpër shtëpi.

Disa prej anëtarëve të bandës, identiteti i të cilëve është bërë publik, janë:

-Fatmira alias Antonia alias Romina Cami

-Enkeljon alias Enea Velaj nga Fieri

-Elton Selimi

-Armand Manaj nga Fieri

-Ermal Malasi 39 vjeç nga Tepelena

-Elton Malasi 33 vjeç nga Tepelena

-Oklend Berberi nga Delvina

-Maringlen Mellaraj

-Petri Pojani

-Fatri Hadollari

-Armand Pesku

-Romario Gjoka

-Amarildo Kostandini

/tvklan.al/