Emisioni me “Zemër të Hapur” i autores Evis Ahmeti i është rikthyer rastit të Rajmonda Jaliqit nga Divjaka. Ajo është nënë e 2 vajzave 10 dhe 6 vjeç. Kushtet ekonomike e detyruan Rajmondën së bashku me bashkëshortin e saj Rauf që të dyja vajzat t'i dërgojë në shtëpinë e fëmijës Durrës. Vajzën e madhe D.J e marrin në shtëpi në moshën 2 vjeç, ndërsa vajzën e vogël V.J e cila sot është 6 vjeç ende nuk e kanë marrë. Nëna e V.J tregoi në emision se Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, Durrës i kishte shkuar në shtëpi duke i thënë që ta birësonte vajzën pasi edhe pas birësimit do të ketë mundësi të flasë e ta takojë atë. Por u bënë 3 muaj që Rajmonda nuk ka folur me të voglën e saj, e ndaj denoncoi publikisht drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës Durrës, Heroina Duka se e ka mashtruar.

Por Znj. Duka kërkoi pranë redaksisë së emisonit “Me Zemër të Hapur” një ballafaqim që u bë i mundur sot. Znj Duka mohoi të gjitha akuzat e Rajmonda Jaliq, ndërsa kjo e fundit vijoi të këmbëngulte se e ka mashtruar për birësimin e vajzës. Rajmonda tregon se 3 ditë para se të zhvillohej seanca gjyqësore e ka telefonuar drejtoreshën që të mos e birësojë vajzën e saj dhe ka kërkuar që ta marrë atë në shtëpi.

Që prej fillimit të emisionit situata në studio ishte e nxehtë plot debate dhe të ftuarit nuk respektonin njëri-tjetrin duke shkelur dhe etikën e komunikimit. Kjo situatë e detyroi autoren dhe moderatoren e emisionit “Me Zemër të Hapur” ta nxjerrë nga studio Drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës, Durrës Heroina Duka së bashku me babanë e 6-vjeçares. Vetëm pas largimit të tyre u bë e mundur të dëgjohej dhe fjala e plotë e panelit të profesionistëve, avokates Nexhmie Beqiri dhe psikologes Anxhela Peza. /BalkanWeb