S’kishte ndodhur më parë që një propozim për martesë të bëhej në një sallë parlamenti. Për më tepër mes një çifti homoseksualësh.
Për këtë do të hyjë në histori Tim Uillson, deputeti liberal australian i cili i propozoi për martesë partnerit të tij pikërisht në seancën ku diskutohej legalizimi i martesave mes partnerëve të të njejtës gjini.
Tim Wilson, deputet australian: Ryan Patrick Bolger do martohesh me mua?
Përgjigja që mori ishte pozitive. Çifti mori përgëzimet e deputetëve të tjerë të pranishëm. Willson tha shprehimisht se çështja e legalizimit të martesave mes homoseksualëve ka qenë “simfonia” e lidhjes së tyre.
Votimi për kauzën e shumëpërfolur kohët e fundit në Australi do të bëhet gjatë kësaj jave në dhomën e ulët. Kundërshti për ligjin ka pasur nga radhët e konservatorëve, por ata janë të pafuqishëm ta ndalojnë vetëm me votat e tyre.
Anketimet tregojnë se 62% e popullsisë janë në favor të legalizimit të martesave mes partnerëve të të njëjtës gjini, ndërsa 38% janë kundër./Tv Klan