Një zjarr i madh ka rënë pasditen e sotme në një gomisteri në zonën e Shkozetit, në Durrës.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën katër mjete zjarrfikëse, ndërsa u angazhuan edhe forca të shumta policie. Për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve, policia devijoi lëvizjen e automjeteve, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në segmentet pranë zjarrit.

Në terren ndodhet edhe OSHEE e cila ka stakuar energjinë elektrike deri në normalizimin e situatës në këtë zonë.

Pas një pune intensive, zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll zjarrin, duke shmangur përhapjen e tij në bizneset dhe banesat pranë gomisterisë.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ngjarja ka vetëm dëme materiale.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit.