Pas vendimit unanim nga grupi parlamentar i PD për djegien e mandatave të deputetit, kreu i PD Lulzim Basha ka zhvilluar takim me aleatët për 60 minuta.
Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Agron Duka u shfaqen të hënën pasdite në krah të kryedemokratit Lulzim Basha për të bërë të ditur se vendimi për djegien e mandateve është i opozitës së bashkuar.
“Ky sot ishte takim pune, vendimi per djegien e mandateve është vendim i opozitës së bashkuar”, tha Basha.
"Djegia e mandateve është vendim i gjithë deputetëve. Zëri që do të mungojë në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë një zë që do të jetë me qytetarët shqiptarë” tha kryetari i PR-së, Fatmir Mediu.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehu tha se opozita do të jetë e bashkuar deri sa në krye të qeverisë do të jetë Edi Rama.
Edhe aleati tjetër, Vangjel Dule i PBDNJ-së tha se opozita ka një mision të vështirë, atë të përballje me Edi Ramën që sipas tij ka mashtruar dhe poshtëruar shqiptarët.
“Opozita është në kushte e realizimit të misionit të saj. Misioni është i vështirë dhe i rëndë dhe kërkon mbështetje më shumë se kurrë të qytetarëve. Kërkohet mbështetje e gjithë atyre që janë të mashtruar dhe të poshtëruar nga Edi Rama dhe Rilindja”, tha Dule.





