Një vit më parë, plazhi i Durrësit nuk ishte kaq i qetë dhe i boshatisur sa është sot.
Ndonëse ende në qershor, pushuesit e parë duhet të kishin ardhur, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, çadrat e shezlongëve në plazhet private të subjekteve mbeten akoma të mbyllura.
Të paktë janë edhe ata që po shfrytëzojnë hapësirën publike në plazh me çadrat e tyre, ndërsa një pjesë preferojnë të bëjnë ecje në rërë.
Mungesën e turistëve krahas hoteleve e ndjen edhe biznesi i vogël përgjatë bregdetit të Durrësit.
Jashtë kamerave, pronarët e dyqaneve shprehen për “DurrësLajm” se janë në krizë dhe sipas tyre një izolim tjetër i paralajmëruar nga kryeministri Rama do t’i rrënonte plotësisht.
“Nuk ka patur punë fare. S’ka njerëz. Është shumë krizë, kemi hedhur gjithë ato lekë këtu. Njëherë tërmeti, një herë pandemia, të na fusë edhe një izolim tjetër ai edhe kjo na duhet për t’u rrënuar. Vetëm të hanë njerëzit njëri-tjetrin.”, thotë një zonjë.
E duke u ndalur te dëmet e tërmetit në këtë zonë, nuk duhet vetëm të prekësh xhepin për t’i ndjerë akoma ato, mjafton të hedhësh sytë drejt pallateve në Plazh për t’i parë.
Teksa një pjesë kanë rikonstruktuar plasaritjet e lëkundjes së fortë sizmike të 26 nëntorit nëpër godinat shumëkatëshe, një pjesë tjetër ka ngritur skelat kohët e fundit ndërsa disa të tjerë nuk dihet nëse do t’i riparojnë.
Por, pas 7 muajsh të vështirë për qytetin bregdetar, as moti nuk i ka ardhur shumë në ndihmë zonës turistike, pasi fundjavat pas heqjes së karantinës kanë qenë pothuajse të gjitha me vranësira dhe reshje shiu.
G.D.





