Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka shpërndarë një video në “Facebook”, ku në dy minuta tregon si do të jetë këndi i lojërave në parkun e Liqenit Artificial.

“Merr 2 minuta kohë dhe njihu me këndin fantastik të lojërave për 200 mijë fëmijët e Tiranës”, shkruan Veliaj krahas videos.

Kryebashkiaku nuk ka ngurruar t’i përgjigjet edhe komentuesve të cilët e pyesin nëse lojërat që do të frekuentojnë fëmijët do të jenë me pagesë apo jo, duke u bërë të ditur që gjithçka do të jetë falas.

Në lidhje me këtë projekt, ka pasur përplasje mes Bashkisë së Tiranës dhe PD-së, pasi sipas kësaj të fundit, Veliaj po shpërdoron detyrën duke bërë një ndërtim të paligjshëm vetëm për qëllime klienteliste.