Guardia Di Finanza ka mundur të pikasë gjatë mbrëmjes së të premtes një gomone në det të hapur dhe është vënë në ndjekje të saj. Në afërsi të Brindizit ata kanë mundur të ndalojnë mjetin lundrues, në bordin e së cilit ishin fshehur plot 535 kg marijuanë. Po ashtu janë arrestuar edhe skafistët, të dy shqiptarë.

Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për shtetasit G. D. 46 vjeç dhe S.V. 38 vjeç, nga Vlora.

Në bordin e mjetit lundrues u gjetën 26 pako me marijuanë me peshë totale prej 535 kilogramë.

Sipas vlerësimeve paraprake, droga mund t'u sillte atyre fitime deri në 5 milionë euro. Gomonia e kapur është ankoruar në portin e Brindisit për hetimet e mëvonshme.

Operacioni i radhës kundër trafikut të drogës në Kanalin e Otrantos, u finalizua edhe me mbështetjen e mjeteve detare të operacionit “Themis 2018” të Agjencisë 'Frontex' të koordinuar në nivel kombëtar nga Qendra Ndërkombëtare e Koordinimit, të ngritur në komandën operative detare Pratica di Mare në Romë dhe në Puglia.