7 dhjetor 2015 – “E vrava se më ka rrahur, e nuk mund të duroja dot më shumë.” Kështu ka thënë në momentin e arrestimit 43-vjeçari Miran Tila nga Manza, autor i dyshuar i vrasjes së shokut të ngushtë të tij Arben Hasës.
“Po e kam vrarë, dhe këtë e kisha menduar më herët”. Në këtë mënyrë e pohoi autorësinë e krimit 43-vjeçari, i cili pas mesnatës së 3 dhjetorit vrau me 6 plumba në gjoks shokun e tij të ngushtë në fshatin Shkallë të Manzës.
Policia e Durrësit bëri të ditur se autori është arrestuar falë bashkëpunimit me familjen e tij. Në momentin e arrestimit, iu gjet edhe arma e krimit, një automatik i cili dyshohet se është përdorur në krim.
“U gjet në pyll, më herët kishte folur me familjarët e tij që e bindën të mos bënte rezistencë ndaj policisë dhe të dorëzohej. U gjet në mes të pyllit me pisha në Gjirin e Lalëzit në zonën e Ishmit. Pranë këtij pylli ka disa objekte që përdoren vetëm në verë nga pronarët e tyre. Me vete ka pasur telefonin. Familja e bindi të dorëzohej. Policia i druhej një përballje direkte me të për faktin se ka qenë i armatosur. Familjarët e telefononin vazhdimisht, derisa e bindën. Në momentin e arrestimit nuk bëri asnjë rezistencë”, kanë bërë me dije burimet policore.
(Në foto, viktima Arben Hasa dhe vendi i krimit)

Njoftimi i policisë
Më datë 07.12.2015, Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune intensive dhe me ndihmën e dhënë nga familjarët, kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit:
• Miran Tila, 43 vjeç, banues në Manëz Durrës, pasi:
Shtetasi i mësipërm, dyshohet si autori i vrasjes së ndodhur më datë 03.12.2015 në Manëz. Ai u ndalua në afërsi të Gjirit të Lalëzit, në një pyll.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë të braktisur te Gjiri i Lalëzit ku edhe kishte qëndruar autori, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale:
• arma e krimit, tip automatik, model 56;
• 12 fishekë në krehër dhe 20 fishekë më vete;
• 2 celularë.
Shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë një konflikt i ndodhur 4 muaj më parë, për motive të dobëta, midis autorit dhe viktimës.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Rreth orës 02:00, në fshatin Shkallë, Manëz, nga Patrulla e Policisë, është gjetur i braktisur automjeti tip BMV me targa AA 938 DR, në pronësi të shtetasit:
• Arben Hasa, 39 vjeç, banues në fshatin Karpën, Maminas.
Në automjet janë gjetur njolla gjaku, 2 copë fishekë dhe një gëzhojë automatiku.
Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, në fshatin Manëz të Vjetër është gjetur trupi i pajetë i shtetasit Arben Hasa.
Shtetasi Miran Tila, u shpall në kërkim me shkresën Nr.11470 datë 03.12.2015.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim" dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit ”.
/portali DurresLajm/





