Katundi i Ri nën pushtetin e ujit! Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka sjellë përmbytjen e zonave të banuara dhe tokave bujqësore.
Në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku është konstatuar çarja e argjinaturës, ka nisur puna për evakuimin e banorëve nga zonat e përmbytura.
Përveç fshatit Erzen, përmbytje janë evidentuar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë. Në total, në këtë njësi administrative janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore. Ndërkohë, në njësinë administrative Sukth, përmbytjet kanë prekur një pjesë të qytetit, kryesisht në zonat pranë Erzenit si dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin. Po ashtu, janë përmbytur rreth 2000 hektarë tokë bujqësore në zonat e Sukthit, Hamallajt, Rrushkullit, Perlatit, Kullës dhe Vadardhës.





