Një qytetar nga Durrësi ka dërguar pranë redaksisë së “DurrësLajm” një video ku shfaqet një sipërfaqe kodrinore e përfshirë nga flakët. Në pamje duken qartë flakë të mëdha, ndërsa zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe është përhapur me shpejtësi në një territor të gjerë.
Sipas burimeve nga zjarrfikësja e Durrësit, vatra ndodhet në zonën e Shijakut. Për t’i ardhur në ndihmë zjarrfikësve të Shijakut, drejt zonës është nisur një mjet zjarrfikës dhe një ekip nga Durrësi. Ende nuk dihet nëse përreth zonës së djegur ka sipërfaqe të banuara ose banesa që mund të jenë të rrezikuara.
Ministria e Mbrojtjes ka dalë disa herë në ditët e fundit me deklarata për shtyp lidhur me situatën alarmante të zjarreve në vend. Kjo nuk është hera e parë që zona e Shijakut përfshihet nga flakët. Vetëm dy ditë më parë, Ministria raportoi për një vatër zjarri pranë Parkut të Kamioneve “Pelikani”.





