Në mungesë të Arlind Ajetit dhe me një Mërgim Mavraj që vetëm sot gjeti skuadër për të vijuar karrierën, do të jetë radha e Berat Gjimshitit, që të marrë përgjegjësinë dhe të udhëheqë repartin e mbrojtjes së Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Futbollisti e ka nisur mjaft mirë këtë sezon, teksa ka luajtur si titullar në të tre takimet e para të Serisë A, duke fituar besimin e trajnerit Gasperini, ndërsa në konferencën për shtyp të ditës së sotme, pranoi se është i gatshëm të japë më të mirën. 

A besoni te një fanellë titullari? 

Ato gjëra i vendos trajneri. Unë nuk vij këtu të them që dua të luaj. Unë kam detyrë të jap maksimumin. 

Ajeti mungon, a e ndjen ti përgjegjësinë e qendrës së mbrojtjes? 

Mavraj është ai që manovron mbrojtjen, por nëse do të luaj, do të jap kontributin për të mbrojtur sa më mirë dhe për të shmangur pësimin e golave. 

Çfarë presim nga kjo sfidë? 

Ne që kemi luajtur kundër Izraelit dy ndeshje, e dimë çfarë ekipi është. Do të shikojmë kush janë repartet e tyre më të forta. 

Cilat janë objektivat e Shqipërisë në Ligën e Kombeve? 

Ka dy objektiva, të luajmë mirë dhe të kalojmë grupin. Më pas të shikojmë ata që do të vijnë. Ne duam të arrijmë maksimumin. 

Cilat janë diferencat mes Panuccit dhe Gasperinit? 

Shumë trajnerë janë të ndryshëm, kanë karakterin e vet. Futbolli i Atalantës me atë të Shqipërisë është i kundërt, sepse nuk kanë filozofi të njëjtë. Jap maksimumin që kërkon trajneri. 

Tek Atalanta luhet me tre mbrojtës dhe këtu me katër. A përbën kjo problem për ju? 

Edhe vjet te Benevento kemi luajtur me tre, por nuk është problem për mua, sepse kam luajtur shpesh me katër. 

Duhet të kemi frikë nga provokimet kundër Izraelit? 

Unë e di çfarë ka ndodhur. Ne nuk do të mendojmë për këtë. Ndeshjen duam ta zhvillojmë si ajo që bëmë në Izrael. 

Ke qenë nga ata lojtarë që mbete jashtë listës të Europianit. A ke një mesazh për të gjithë? 

Nuk kam asnjë mesazh pasi secili vendos personalisht. Nuk kam dashur ta lë kombëtaren për asgjë tjetër. Të luash për kombëtaren duhet të japësh maksimumin gjithmonë. 

Cili është objektivi për këto dy ndeshje? 

Objektivi është t’i fitojmë ndeshjet. Është rasti t’i përmirësojmë gabimet tona.

(Intervista e Gjimshitit fillon në minutën 4:35)