Pas 3 ditësh në paraburgim, kreu i FRPD Durrës Artion Barjamaj dhe Shyqyri Myrtollari janë lënë të lirë me vendim të Gjykatës.

Duke folur për mediat pas gjyqit, Barjamaj tha se dy veprat penale për të cilat akuzoheshin; “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, ranë poshtë para gjykatësit pasi prokuroria nuk arriti t’i argumentonte akuzat në bazë të provave që kishte mundësuar nga policia.

“Gjykatësi i kërkoi prokurores informacion për akuzën; akuza  e policisë ishte “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”. Prokuroria në bazë të provave që kishte mundësuar policia nuk arrinte dot të argumentonte akuzat, kështu që akuza për përhapje informacioni të rremë ra direkt, ndërkohë që akuza për organizim, duke qenë se ne kemi qenë thjesht pjesëmarrës ra direkt dhe gjykatësi u shpreh se është një e drejtë kushtetuese që i lejohet çdo shqiptari që të reagojë dhe të manifestojënë mënyrë paqësore. Unë personalisht mendoj se ky vend do të fillojë të bëhet, të zhvillohet në momentin që shqiptarët do të fillojnë të reagojnë ndaj padrejtësive që ju bëhen.”

I bindur se po bënte veprimin e duhur, Barjamaj shprehet më tej se mesazhi është i qartë; që nuk do të intimidohen nga veprimet e jashtëligjshme të Policisë së Shtetit sipas tij, ndërsa iu qëndron kërkesave për reformim të këtij institucioni dhe dorëheqjen e drejtorit Ardi Veliu.

“Isha realisht i bindur që po bëja veprimin e duhur dhe kam qenë shumë i gjetë. Kam lexuar, kam bërë stërvitje. Mesazhi është shumë i qartë nuk e ulim kokën, nuk dorëzohemi, nuk intimidohemi nga këto veprime të jashtëligjshme të policisë së shtetit. Gjithashtu kërkesat janë shumë të qarta, është e domosdoshme që të bëhet reformim i Policisë së Shtetit, dhe fajtor kryesor për këtë pjesë është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, është Ardi Veliu i cili duhet të japë dorëheqjen”.

Myrtollari tha se e gjitha ishte një dhunë psikologjike për t’i frikësuar që të mos ngrihen kundër padrejtësive, por reagimi dhe protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese e çdo shqiptari.

“Kjo ishte një dhunë psikologjike ndaj nesh për të na frikësuar që të mos ngrihemi sa herë që ka diçka të padrejtë. Por siç edhe gjykatësi u shpreh, kjo është një e drejtë kushtetuese që e ka çdo shtetas shqiptar për të protestuar në mënyrë paqësore sa herë që është e nevojshme.”

Barjamaj dhe Myrtollari u arrestuan më 15 dhjetor për protestën e fundit kundër vrasjes së Klodian Rashës, e thirrur përmes rrjeteve sociale, ku të rinjtë në Durrës u shfaqën me një arkivol. Ata kishin ngjitur disa pankarta në të, duke nënkuptuar varrosjen e demokracisë dhe instalimin e diktaturës në vend.