Publikohen pamjet e grabitjes spektakolare ndodhur pasditen e së premtes në një market, në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, Lezhë.

Në pamjet e siguruara nga “Channel One”, duken dy persona të armatosur dhe të maskuar si dhe punonjësit e marketit, të cilët qëndrojnë të shtrirë përtokë, pas kërcënimit të maskave.

Grabitësit u paraqitën si punonjës policie dhe kërkuan të bëjnë një kontroll në lidhje me matësin e energjisë elektrike dhe me kuptonin tatimor. Ata ishin të veshur me uniforma të ngjashme me ato që përdorin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sapo hynë në market, ku kanë qenë duke punuar tre punonjës, ata nxorën armët dhe ua vendosën në kokë. Më pas morën xhiron e ditës, disa koli cigaresh dhe u larguan me një mjet në ngjyrë të bardhë. Mësohet se shuma e rrëmbyer, është rreth 2 milionë lekë të rinj. Për këtë ngjarje, janë shoqëruar rreth 15 persona në polici, për të dhënë dëshmitë e tyre.