27nëntor 2015 – Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, e cila humbi me një rezultat të thellë përballë Vangjush Dakos, ka zgjedhur të përshëndesë miqtë e saj me anë të një video–mesazhi. Për Dumën, “kjo është një mënyrë paksa më e ngrohtë për t’u përshëndetur” dhe për t’u dhënë ndjekësve se u është mirënjohëse.

Zonja Duma thotë se u është mirënjohëse miqve të saj për besimin e dhënë, veçanërisht për faktin se në vendin tonë “jeta jonë e përditshme është e mbushur me energji negative, zili, intriga…”. Duke u kthyer përgjigje edhe kritikave me të cilat ajo shpesh përballet, sidomos në rrjetet sociale, Duma thotë se ajo nuk është hakmarrëse ndaj sharjeve ekstreme, por është e ngarkuar me përgjegjësi për të mos i zhgënjyer miqtë e saj në rrugën e politikës.

Mesazhi i Grida Dumës (video më poshtë)

Të dashur miq!

Kjo është një mënyrë paska më e ngrohtë për t’u përshëndetur dhe për t’ju thënë me zemër që ju jam mirënjohëse. Ju jam mirënjohëse për çdo fjalë të mirë, për çdo urim, për çdo mbështetje dhe mbi të gjitha për besimin.

Për besimin sepse në këtë vend ku jetojmë ku jeta jonë e përditshme është e mbushur me energji negative, është e mbushur me zili, intriga, me të keqen që e presim shumë më thjeshtë se sa të mirën, është e vështirë të vazhdosh të besosh tek disa njerëz.

Herë herë habitem që njerëzit me gjithë hallet dhe problemet e tyre arrijnë të ndjekin ndonjë gjë nga ajo që ne themi, nga ajo që ne përpiqemi të bëjmë. Ju siguroj që nuk kam asnjë reflektim ndaj asnjë sharje ekstreme, nuk kam asnjë vetëgjyqësi ndaj asnjë momenti negativ nëse duhet të bëjmë apo jo gjërat që mendojmë se janë më të mirat. Kam reflektim dhe përgjegjësi të madhe kur shoh që njerëz si ju më mbështesin sepse gjëja e fundit që do dua, në fund të kësaj rruge t’ju kem zhgënjyer.

/portali DurresLajm/