Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja në lidhje me makinën e vjedhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Burimet zyrtare thanë se në mbrëmje rreth orës 20:15, në rrugën e “Kavajës”, mjeti tip “Hyndai”, në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është konstatuar duke lëvizur me shpejtësi të lartë nga një patrullë Policie e ndodhur në një vendngjarje, e cila është vënë menjëherë në ndjekje.
Mjeti ka ndryshuar korsinë e lëvizjes dhe nga shpejtësia tej normave ka humbur kontrollin duke përplasur katër mjete, ndër to mjetin e policisë që po e ndiqte.
Humbja e kontrollit ka bërë që të përplaset me murin e një supermarketi dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi B. H., 62 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po i jepet ndihma në SQUT.
Më pas, drejtuesi i mjetit ka dale nga makina duke u larguar me vrap. Ky automjet dyshohet të jetë vjedhur me thyerje (pasi është konstatuar xhami anësor i thyer) rreth 20 minuta përpara ngjarjes.
Përdoruesi i autorizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, shtetasi Sh. Ç. ishte paraqitur ne Komisariatin Nr. 6 për të bërë kallëzim për mjetin e vjedhur.
Menjëherë shërbimet policore kanë arritur të identifikojnë dhe më pas shoqërojnë shtetasin Dritan Tufa, 35 vjeç, si autor i dyshuar i ngjarjes.
(Në foto, Dritan Tufa)
(Në videon më poshtë, momenti i përplasjes me supermarketin)