Momente tronditëse ndodhën gjatë sulmit terrorist vdekjeprurës në plazhin Bondi, të dielën në Sidney të Australisë, kur një person ndërhyri, duke çarmatosur një nga autorët e dyshuar, përpara se ai vetë të gjendej shënjestër e policisë dhe të sulmohej nga qytetarët e tjerë, që e ngatërruan me një nga personat e armatosur.
Sulmi i përgjakshëm i së dielës mori jetën e të paktën 16 personave, përfshirë një vajzë 10-vjeçare dhe një rabin, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën rëndë. Mes viktimave edhe një prej autorëve, njëkohësisht babai i sulmuesit tjetër që u plagos rëndë.
Një video ka dalë në internet që tregon momentin dramatik kur një burrë ngjitet me kujdes në një urë këmbësorësh, disa minuta pasi persona të armatosur hapën zjarr mbi turmën, sipas ‘Daily Mail’. Ky është personi i dytë hero që ndërhyri për të ndaluar terroristët, që dyshohet se vepruan në emër të ISIS (Shtetit Islamik).
Në njërën nga pamjet, njëri nga sulmuesit shihet i plagosur në tokë, ndërsa burri ngjitet shkallëve, ia rrëmben armën nga dora sulmuesit dhe më pas largohet me duart lart, duke bërtitur “mos qëlloni”, ndërsa oficerët vazhdojnë operacionin. Ndërsa policia hapi zjarr, burri shihet duke u fshehur, pastaj duke u tërhequr me duart lart ndërsa forcat e sigurisë i afrohen.
Në kaosin që pasoi, ai u qëllua nga policia dhe u rrethua menjëherë nga civilë të cilët, duke besuar gabimisht se ishte një nga terroristët, e sulmuan. Burri u godit me grusht dhe u detyrua të mbrohej përpara se të ndalohej përfundimisht nga oficerët e policisë të cilët u përpoqën të parandalonin sulme të mëtejshme ndaj tij.
Sipas avokates së tij, Alison Battison, burri është refugjat nga Lindja e Mesme, jeton në Australi për rreth dhjetë vjet, por mbetet me vizë të përkohshme.
Ai ka një grua australiane dhe fëmijë me shtetësi australiane. Sipas saj, klienti i saj sapo kishte mbërritur në plazh kur dëgjoi të shtëna dhe ndërsa shumica e njerëzve po iknin me vrap, ai u drejtua drejt rrezikut.
“Ai doli nga një taksi, dëgjoi të shtënat, pa të tjerë duke ikur me vrap dhe vrapoi drejt zhurmës së të shtënave”, tha ajo.
Ndërkohë, një qytetar tjetër, Ahmed el Ahmed , i cili luftoi trup më trup dhe mori një armë nga një prej autorëve të dyshuar, po trajtohet në spital, pasi u plagos gjithashtu, por jo nga policia, por nga djali i një prej dy autorëve.
Babai mysliman i dy vajzave, të moshës pesë dhe gjashtë vjeç, kishte mbërritur në Sydney nga Siria më shumë se një dekadë më parë. Nëna e tij tha se shpërtheu në lot kur mësoi se djali i saj ishte një nga njerëzit që shpëtoi jetë të panumërta.
Kryeministri australian Anthony Albanese dhe kryeministri i Uellsit të Ri Jugor Chris Means vlerësuan heroizmin e qytetarëve, duke theksuar se në errësirë kishte edhe shpresë.
Njëri nga sulmuesit u vra në vendngjarje nga të shtënat e policisë, ndërsa i dyti u plagos rëndë dhe u arrestua. Autoritetet më vonë konfirmuan se në automjetin e autorëve u gjetën pajisje shpërthyese të improvizuara, të cilat u neutralizuan në mënyrë të sigurt.
Sulmi është klasifikuar zyrtarisht si një akt terrorist, me hetime që e lidhin atë me një sulm të synuar antisemit.





