Durrësi i dha sot lamtumirën e fundit intelektualit dhe arsimtarit të njohur, “Mjeshtrit të madh”, Halil Myderrizi. 

Me dhjetëra miq e dashamirës, anëtarë të shoqatës “Durrësi”, përfaqësues nga institucionet dhe figura publike të qytetit morën pjesë në homazhet që u bënë në nderim të Myderrizit, në sheshin para bashkisë së qytetit. 

Me motivacionin “Për kontributet e shquara në edukim, arsim dhe në shërbim të qytetarisë durrsake”, shoqata “Durrësi autokton” dhe bashkia e Durrësit i akorduan Myderrizit titullin “Fisnikëria durrsake”, pas vdekjes. 

Në fjalën e saj, kryebashkiakja Emiriana Sako tha se kujtimi i Halil Myderrizit do të mbetet i paharruar për shumë durrsakë që e njohën nga afër, njohën vlerat dhe intelektin e tij.

Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Durrësi autokton”, Abdulla Deliallisi, në fjalën e saj vlerësoi kontributin e dhënë ndër vite nga Halil Myderrizi për përgatitjen e brezave të tërë nxënësish, respektin e të cilëve ai e gëzonte edhe sot e kësaj dite.

“Halil Myderrizi do të mbahet mend si njeriu i qetë e fjalëpak, por gjithmonë në mbrojtje të së drejtës”,- tha Deliallisi ndër të tjera në fjalën e tij.

Pas homazheve, arkivoli me trupin e Halil Myderrizit u nis drejt banesës së fundit, ku do të prehet përgjithmonë. Ai u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje të gjatë. Përveç kontributit në fushën e arsimit, Myderrizi do të mbahet mend nga durrsakët si një nga themeluesit dhe kryetari i parë i shoqatës “Durrësi”.

M.B.