Dy pallate dhe një bar-hotel që shihni në video, janë vënë në sekuestro preventive në qytetin e Durrësit në zonën e Plazhit, pasi ka dyshime që janë përfituar me paratë e krimit.

Pasuria, e cila sipas policisë kap vlerën 2 milionë euro sipas çmimit të tregut, është në pronësi të 51-vjeçarit Pëllumb Tuda, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Tuda, banues në Durrës, ka qenë i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.

” Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurminin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfitura nga veprimtaria kriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit Pëllumb Tuda, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni””, njoftoi sot policia.

Tuda është denoncuar para 5 viteve nga banakierja në lokalin në pronësi të tij, sepse ka dashur që ta prostituonte, dhe kur vajza e kishte refuzuar, ai e kishte rrahur barbarisht. Asokohe u raportua se vajza në fjalë kishte shkuar në policinë e Durrësit me hematoma në sy, duke denoncuar punëdhënësin e saj, pasi në mënyrë të përsëritur i kërkonte ta shfrytëzonte si prostitutë me klientë të lokalit.